Demokratja nga California ka thënë para gazetarëve se mendon që Kongresit do t’i duhet të sigurojë më shumë para për “siguri shtesë anëtarëve të tij, kurse armiku është përbrenda Dhomës së Përfaqësuesve, në një kërcënimin për të cilin anëtarët janë të shqetësuar”. E pyetur për t’i sqaruar pretendimet, Pelosi ka thënë: “Kjo do të thotë se ne kemi anëtarë në Kongres, të cilët duan që të sjellin armë këtu dhe kanë kërcënuar me dhunë anëtarët e tjerë të Kongresit”
Washington, 28 janar (AP) – Para shtesë janë të nevojshme për mbrojtjen e ligjvënësve nga kërcënimi i dhunës që vjen prej një “armiku” të brendshëm në Kongres, ka thënë të enjten kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, duke e spikatur përshkallëzimin e tensioneve lidhur me sigurinë që nga dhuna e mbështetësve të ish-presidentit, Donald Trump, në Capitol.
Demokratja nga California ka thënë para gazetarëve se mendon që Kongresit do t’i duhet të sigurojë më shumë para për “siguri shtesë anëtarëve të tij, kurse armiku është përbrenda Dhomës së Përfaqësuesve, në një kërcënimin për të cilin anëtarët janë të shqetësuar”.
E pyetur për t’i sqaruar pretendimet, Pelosi ka thënë: “Kjo do të thotë se ne kemi anëtarë në Kongres, të cilët duan që të sjellin armë këtu dhe kanë kërcënuar me dhunë anëtarët e tjerë të Kongresit”.
Komentet e Pelosit demonstrojnë se si shqetësimi rreth sigurisë është ende i lartë në Kongres, qëkur mbështetësit e Trumpit e sulmuan më 6 janar ndërtesën e Capitolit, në ngjarjen që rezultoi me vdekjen e pesë personave. Ligjvënësit, përfshirë edhe disa që kanë votuar gjatë këtij muaji për impiçmentin e Trumpit në Dhomë, kanë raportuar të jenë kërcënuar.
Disa republikanë kanë qenë të zëshëm në kundërshtimin e tyre për faktin se duhet të kalojnë nëpër detektorët e porsainstaluar të metaleve para se të hyjnë në Dhomë, derisa Pelosi ka propozuar gjobitjen e ligjvënësve që nuk i nënshtrohen një procedure të tillë.
Edhe
Pelosi konfirmon formimin e Komisionit të pavarur hetimor për dhunën në Capitol
Pelosi nuk ka treguar se në kë ka aluduar, kur i është referuar “armikut” përbrenda Dhomës, ndërkaq asnjë zëdhënës nuk ka ofruar përgjigje kur është pyetur nga gazetarët për çështjen.
Ndërtesa e Capitolit, ndryshe selia e Kongresit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është rrethuar me mburoja metalike dhe është nën patrullimin e rregullt të trupave të Gardës Kombëtare ndërkaq janë vënë në përdorim procedura të reja të sigurisë së brendshme, si instalimi i mjeteve të tjera të mbikëqyrjes.
Ngjarjet e 6 janarit kanë rritur rrezikun nga shpërthimi i mundshëm i dhunës sërish.
Andaj, Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare ka publikuar të enjten buletinin kombëtar të terrorizmit, duke paralajmëruar për mundësinë e dhunës shtesë nga personat e motivuar nga ndjenjat antiqeveri, pas zgjedhjes së demokratit Joe Biden për president. Departamenti megjithatë nuk ka përmendur ndonjë kërcënim specifik.
Edhe
Retorika, pararendëse e dhunës politike në SHBA
Në anën tjetër, procesi i impiçmentit në Senat për dënimin e Trumpit pritet që të nisë muajin e ardhshëm, pas impiçmentit të tij nga Dhoma për akuzën e nxitjes së kryengritjes në Capitol.
Trumpi kishte mbajtur një fjalim ndezës përpara një turme mbështetësish atë ditë, duke i nxitur ata që të marshonin drejt ndërtesës. Në atë kohë ligjvënësit ishin mbledhur për ta certifikuar zyrtarisht fitoren zgjedhore të Bidenit, të cilën ish-presidenti ia atribuonte vazhdimisht, në mënyrë të rrejshme, mashtrimeve me vota.