Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pelosi konfirmon formimin e Komisionit të pavarur hetimor për dhunën në Capitol

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka konfirmuar të martën se Kongresi amerikan do ta formojë një komision “të pavarur, të jashtëm” për hetimin e sulmit të mbështetësve të ish-presidentit Donald Trump në ndërtesën e Capitolit.

Në një letër adresuar ligjvënësve, ajo ka bërë të ditur se Komisioni do të modelohet sipas hetimeve për sulmet terroriste të 11 shtatorit të 2001-s në New York dhe Pentagon. Me këtë Pelosi ka thënë se synohet nxjerrja e së vërtetës për ngjarjet e 6 janarit.

Ish-presidenti republikan është shfajësuar të dielën në Senat nga akuza për nxitjen e dhunës. Por demokratët dhe një grup republikanësh kanë mbështetur inicimin e hetimeve të pavarura rreth mësymjes që ka rezultuar me pesë të vdekur.

Komisioni do të jetë i angazhuar në hetimin dhe raportimin e fakteve, si dhe shkaqeve të sulmit, ndërhyrjen në transferimin paqësor të pushtetit dhe në përgjigjen e policisë e degëve të tjera të zbatimit të ligjit në Capitol.