Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kongresisti amerikan padit Trumpin e Giulianin për dhunën në Capitol

Padia më e fundit ndaj ish-presidentit republikan ka ndodhur në ditën kur kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka konfirmuar se Kongresi do ta formojë një komision “të pavarur, të jashtëm” për hetimin e sulmit të mbështetësve të tij në ndërtesën e Kongresit

Shefi demokrat i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Siguri të Brendshme ka akuzuar të martën ish-presidentin, Donald Trump, me padi federale për nxitjen e kryengritjes së dhunshme në Capitol dhe për konspiracionin me avokatin e tij, si dhe grupet ekstremiste për parandalimin e certifikimit të zgjedhjeve presidenciale në Kongres.

Padia e republikanit nga Mississippi, Bennie Thompson, është pjesë e valës së pritur të proceseve gjyqësore rreth dhunës së 6 janarit dhe besohet të jetë e para që është iniciuar nga një anëtar i Kongresit. Kjo masë është ngritur në ditën kur kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka konfirmuar se Kongresi do ta formojë një komision “të pavarur dhe të jashtëm” për hetimin e sulmit të mbështetësve të tij në ndërtesën e Capitolit.

Përveç Trumpit, në padinë e Thompsonit si i pandehur përmendet edhe avokati personal i ish-presidentit, Rudy Giuliani, dhe grupet, si “Proud Boys” dhe “Oath Keepers”, organizata këto ekstremiste, pjesëtarët e të cilave janë ngarkuar nga Departamenti i Drejtësisë për pjesëmarrje në mësymje.

Këshilltari i Trumpit, Jason Miller, ka thënë, të martën, se klienti i tij nuk i ka organizuar ngjarjet e 6 janarit dhe “nuk ka nxitur apo ka bërë konspiracion për nxitjen e çfarëdo dhune në Capitol”. Një avokat i Giulianit nuk u është përgjigjur emailave për ta komentuar rastin.

Padia, e paraqitur para Gjykatës Federale në Washington, vjen tri ditë pasi që Trumpi është shfajësuar në Senat në procesin e impiçmentit që përqendrohej në pretendimin se ai e kishte nxitur dhunën, në të cilën humbën jetën pesë persona.

Edhe Trumpi, fajtor për sulmin ndaj demokracisë amerikane Botë Trumpi, fajtor për sulmin ndaj demokracisë amerikane

Shfajësimi pritet që të hapë dyert për përndjekje të reja penale lidhur me veprimet e Trumpit para dhe gjatë mësymjes. Padi të tjera mund të ngrihen edhe nga anëtarët e tjerë të Kongresit apo nga zyrtarët e zbatimit të ligjit, të lënduar gjatë intervenimit ndaj protestuesve.

Edhe disa republikanë, të cilët kanë votuar për shfajësimin e Trumpit gjatë së shtunës, kanë bërë të ditur se vendi më i duhet për trajtimin e rastit të ish-presidentit janë gjykatat, sidomos pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë dhe humbja e imunitetit nga përndjekja ligjore, të cilën ia siguronte posti i presidentit.

Padia bazohet në përpjekjet e Trumpit dhe të Giulianit për t’i vënë në dyshim rezultatet zgjedhore, ani pse gjykatat vendore dhe zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve vazhdimisht i kishin mohuar pretendimet e tyre të pabazuara për mashtrime.

“Seria e orkestruar me kujdes e ngjarjeve që ndodhën në tubim e Trumpit dhe në bastisjen e Capitolit nuk ishte aksidentale apo koincidencë”, thuhet në padi. “Ishte kulmimi i synuar dhe i parashikuar i një fushate të koordinuar me kujdes për të ndërhyrë në një proces të nevojshëm ligjor për konfirmimin e shifrës së votave të dhëna në Kolegjin Elektoral”.

Edhe Trumpi akuzohet për “tentativë grusht shteti” Botë Trumpi akuzohet për “tentativë grusht shteti”

Presidentëve amerikanë historikisht u garantohet imuniteti i gjerë nga përndjekja ligjore për veprimet e ndërmarra gjatë rolit të tyre si kryekomandantë. Por padia e së martës bazohet në kapacitetin e tij personal dhe jo në atë zyrtar.

Përveç kësaj, Komisioni i konfirmuar nga Pelosi do të jetë i angazhuar në hetimin dhe raportimin e fakteve, si dhe shkaqeve të sulmit, ndërhyrjeve në transferimin paqësor të pushtetit dhe në përgjigjen e policisë e të degëve të tjera të zbatimit të ligjit në Capitol. \ AP