Botë

Sulmuesi i bashkëshortit të Pelosit po e kërkonte Nancyn në momentin e sulmit

Burri i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u sulmua dhe u rrah rëndë me një çekiç nga një sulmues që hyri në shtëpinë e çiftit në San Francisko herët të premten, duke kërkuar lideren demokrat dhe duke bërtitur: "Ku është Nancy, ku është Nancy”, raportoi Associated Press të shtunën.

Sulmi ndaj 82-vjeçarit, Paul Pelosi, shkaktoi një shqetësim të ri në klimën politike tashmë toksike të vendit, vetëm 11 ditë para zgjedhjeve afatmesme.

Ky sulm solli jehonë të kryengritjes së 6 janarit 2021 në Kapitol, kur rebelët brohorisnin në mënyrë kërcënuese për folësin duke u përpjekur të ndalonin certifikimin e fitores së Joe Bidenit, ndaj Donald Trumpit.

Kryetarja Pelosi, e cili ishte në Washington në kohën e sulmit në Kaliforni, mbërriti në San Francisko të premten vonë. Autokolona e saj u pa teksa mbërrinte në spitalin ku bashkëshorti i saj po trajtohej për plagët e marra.

“Ky nuk është një akt i rastësishëm. Kjo ishte e qëllimshme. Dhe është e gabuar”, tha shefi i policisë së San Franciskos, William Scott.

42-vjeçari David DePape u arrestua nën dyshimin për tentativë vrasjeje, abuzim me të moshuarit dhe vjedhje, bëri të ditur policia.

Paul Pelosi iu nënshtrua një operacioni për të riparuar një frakturë të kafkës dhe lëndime serioze në krahun e djathtë dhe duart, derisa mjekët e tij po presin shërim të plotë së shpejti.

Presidenti Biden telefonoi kryetaren Pelosi për t’i dhënë mbështetje dhe më vonë doli me dënim të sulmit, duke e quajtur "të neveritshëm".

“Ka shumë dhunë, dhunë politike. Shumë urrejtje”, tha Biden të premten mbrëma në një tubim demokrat në Pensilvani.