Qeveria e Ukrainës ka konfirmuar fillimin e operacionit për evakuimin e civilëve nga fabrika e çelikut në Mariupol, ku ndodhen familjet e rreth dy mijë luftëtarëve që po refuzojnë thirrjen e Rusisë për dorëzim. OKB-ja dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar po e ndihmojnë operacionin
Një xhirim, ku shihen civilët duke u evakuuar nga fabrika e çelikut, Azovstal në Mariupol, është shpërndarë nga Regjimenti Azov i ushtrisë së Ukrainës. Në pamje, shihen civilët duke u ngjitur dhe ecur nëpër rrënoja të uzinës, por edhe gra e fëmijë që hipin në autobus.
Më shumë se 100 mijë persona besohet se ende janë të bllokuar në Mariupol, përfshirë njëmijë civilë që ndodhen me rreth dy mijë luftëtarë ukrainas në bodrumin e fabrikës së kohës sovjetike.
Evakuimin e fundit e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e lartë të Qeverisë presidentit Volodymir Zelenskyy.
“Më shumë se 100 persona janë evakuuar, dhe operacioni po vazhdon. Krejt kjo është bërë e mundshme fal kontrollit të presidentit të Ukrainës, Volodymir Zelenskyy, Antonio Guterreshit, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Ne jemi shumë mirënjohës. Hollësi do të bëhen të ditura më vonë, ka theksuar Iryna Vereshchuk, zëvendëskryeministre e Ukrainës.
“Shpresoj se do të takojmë banorët e Mariupolit, të cilët janë detyruar të qëndrojnë më shumë se pesëdhjetë ditë nën rrënoja pa ushqim, ujë, ose komunikim, vetëm duke besuar se do të shpëtohen. Dhe ne i shpëtuam”, ka shtuar ajo.
Fabrika është vendi i vetëm në qytet që nuk është pushtuar ende nga ushtria ruse.
Krijimi i një pasqyre të qartë për fushëbetejën në lindje ka qenë i vështirë për shkak të bombardimeve ajrore dhe artilerisë që e kanë bërë jashtëzakonisht të rrezikshme punën për gazetarët.
Edhe presidenca ukrainase ka konfirmuar raportet për evakuimin.
“Natyrisht, faza tjetër e operacionit është që të nxirren të gjithë njerëzit. Ende ka shumë njerëz që kanë ngelur brenda dhe ka shumë probleme. Ky ishte armëpushimi i parë në uzinën e çelikut. Ka dy ditë që po zgjat ujdia. Shpresojmë se të vazhdojmë bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare dhe të evakuojmë të gjithë nga Azovstali”, ka theksuar Davyd Arakhamin, shef dege i fraksionit të Partisë së Shpëtimit.
Ushtria ukrainas dhe kryengritësit e mbështetur nga Moska po vazhdojnë luftimet në lindje, duke kufizuar skajshmërisht evakuimin dhe raportimin e mediave nga fushëbetejat.
