Parlamenti i Gjeorgjisë të mërkurën shkoi një hap më afër miratimit të një ligji për të cilin kritikët kanë frikë se do të mbysë lirinë e medias dhe do të rrezikojë kërkesën e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Votimi ndodhi disa orë pasi dhjetëra njerëz u arrestuan ndërsa policia gjatë natës përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestën e fundit.
Protestuesit e denoncojnë projektligjin si "ligji rus", sepse Rusia fqinje përdor legjislacion të ngjashëm për të stigmatizuar mediat e pavarura të lajmeve dhe organizatat kritike ndaj Kremlinit, raporton AP.
Ligji do t'u kërkonte mediave dhe organizatave jo-tregtare të regjistrohen si "në ndjekje të interesave të një fuqie të huaj" nëse marrin më shumë se 20% të financimit nga jashtë.
Partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” tërhoqi një propozim të ngjashëm vitin e kaluar pasi turma të mëdha protestuan.
Tetëdhjetë e tre nga 150 ligjvënësit e Gjeorgjisë miratuan projektligjin në leximin e tij të dytë. Një votim i tretë dhe i fundit në Parlament nevojitet përpara se ai të nënshkruhet në ligj. Kjo pritet në ditët në vijim.
Edhe
Protestuesit gjeorgjianë përpiqen t’i thyejnë barrierat te Parlamenti pas miratimit të ligjit kontrovers
Marrëdhëniet Rusi-Gjeorgji kanë qenë të ndërlikuara dhe të trazuara që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990. Gjeorgjia iu bashkua rezolutave ndërkombëtare që dënonin pushtimin rus të Ukrainës, por ajo u bë gjithashtu një destinacion kryesor për rusët që ikin nga mobilizimi ushtarak dhe goditjet politike.
LEXO EDHE: