Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Para dhe pas luftës” – jeta e ukrainasve ndahet në dysh

Kateryna Dmytryk ka qenë duke e pritur këtë moment për pothuajse dy vjet – gati sa krejt jeta e të birit të saj më të vogël.

Krah për krah, ata po vraponin, Timuri 2-vjeçar i printe rrugës teksa bora kërciste nën këmbët e tyre. Një burrë i hollë dhe i zbehtë mori rrugën tek ata dy prej spitalit ushtarak. Artem Dmytryk nuk e kishte parë familjen e tij gati për 24 muaj. Krejt këtë kohë e kishte kaluar në robërinë ruse.

Artem e mori në krah djalin e tij, e Kateryna e shtrëngoi bashkëshortin e saj për t’u siguruar se kjo nuk ishte një ëndërr. Të tre bashkë u përqafuan, qeshën e u puthën.

Kateryna pas varrimit të nënës kishte ikur nga vendlindja e saj e i kishte kaluar shumë postblloqe ruse me të birin, teksa po paramendonte më të keqen për robërinë e burrit. E dinte se do t’u duheshin vite plagëve për t’u shëruar, mirëpo në atë moment e la veten të buzëqeshte.

Teksa Rusia e nisi luftën e saj në Ukrainë, jetët e miliona ukrainasve kanë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme. Sikurse Dmytrykët, ata e shënojnë jetën e tyre në dy periudha: para dhe pas 24 shkurtit 2022. Dhjetëra e mijëra ukrainas kanë varrosur të dashurit e tyre, miliona prej tyre janë detyruar t’i lënë shtëpitë, e krejt vendi ka hyrë në një luftë të gjatë e dërrmuese, me 26% të tokës ukrainase nën pushtimin rus.

Edhe nëse arrihet paqja, lufta tashmë ka shkatërruar realitetin për gjeneratat e reja.

Për Katerynan, lirimi i të shoqit ka sjellë pak rreze drite në jetën e saj. Megjithatë, ajo është e vetëdijshme se këta dy vjet do të qëndrojnë përgjithmonë.

“Na janë vjedhur dy vjet nga jeta”, thekson ajo. “Këta dy vjet ishin sikur të jetonim në ferr”.

“Jetë familjare normale”

Dmytrykët sapo po nisnin jetën e tyre si familje treanëtarëshe, kur nisi lufta.

Kateryna dhe Artemi ishin njohur në vendlindjen e tyre, në Berdianskun bregdetar, kur ishin goxha të rinj. Në moshën 16 dhe 18 vjeç, ata pëlqyen njëri-tjetrin dhe filluan lidhjen. Më vonë, Artemi iu bashkua ushtrisë dhe nisi të shërbente në Shërbimin Shtetëror të Rojës Kufitare, me bazë në Berdiansk.

Në maj të vitit 2021 u martuan dhe nuk vonoi shumë e u bën me të birin Timurin.

“Ishte një jetë familjare e qetë dhe normale”, ka thënë Kateryna.

Ishte dita e Shën Valentinit në vitin 2022 kur Artemi pranoi një thirrje për gatishmëri ushtarake. Ai ishte në detyrë të vazhdueshme dhe më nuk kthehej mbrëmjeve në shtëpi. Kateryna nuk e mendoi fort situatën, edhe kur tensionet u rritën pas mbledhjes së ushtarëve rusë në kufi.

Hera e fundit që Artemi ishte në shtëpi ishte 23 shkurti. Ai i kishte kërkuar mikes së Katerynas të qëndronte në shtëpi me të. Diçka e pazakontë – ai nuk donte që Kateryna të ishte vetëm. E Kateryna tha se nuk e kishte imagjinuar kurrë se lufta do të arrinte këtë përshkallëzim.

Në orët e hershme të 24 shkurtit, Kateryna u trondit nga e vaji i befasishëm i Timurit, që u përcoll me shpejtësi nga një shpërthim i fuqishëm.

“Pothuajse çdo ukrainas atëherë u zgjua nga zhurma e shpërthimeve”, tregon ajo.

Në ankth dhe në gjendje shoku, ajo arriti ta telefonojë Atemin. Tashmë në detyrë në det, ai e udhëzoi atë të mblidhte gjërat e saj dhe të shkonte në fshatin e prindërve të saj aty pranë. Ai ishte i shqetësuar për fuqinë e anijeve ruse, tha ajo, dhe kishte frikë se do të kishte luftime në Berdiansk.

Ajo bëri siç i tha Artemi dhe atë mbrëmje ata folën përsëri.

Ai kishte marrë urdhër të shkonte ta mbronte Mariupolin.

“Do të kthehem”

Brenda disa ditësh, forcat ruse e kishin pushtuar Berdianskun dhe zonë përreth. Artemi rrallë mund të kontaktohej – vetëm përmes lajmeve Kateryna mund ta kuptonte se çfarë po ndodhte në Mariupol. Qyteti ishte i rrethuar, mijëra banorë ishin të bllokuar e njëra prej betejave më të përgjakshme po zhvillohej aty.

Në disa biseda të shpejta që ata mund t’i bënin, Artemi i thoshte: “Gjithçka do të jetë në rregull. Ukraina do të triumfojë”.

Disa thirrje zgjatnin vetëm një minutë. Një herë, Artemi i kërkoi së shoqes ta fotografonte Timurin çdo ditë, në mënyrë që ta mund ta shihte djalin duke u rritur.

“Do të kthehem, patjetër se do të kthehem”, e siguroi Artemi atë.

Megjithatë Kateryna nuk mund të flinte pasi situata në Mariupol po rëndohej. Ajo kaloi ditët e saj duke qarë e duke u lutur për sigurinë e Artemit.

Artemit iu shtua frika se nuk do të shpëtonte. Ai thirri për t’ia dhënë lamtumirën.

“Më tha se nëse nuk ia del mbanë, do të bëhej engjëlli mbrojtës për djalin tonë”, rrëfen Kateryna.

Image
Kateryna Dmytryk dhe bashkëshorti i saj pas lirimit, si pjesë e shkëmbimit të të burgosurve

Guximi për t’u larguar

Kateryna qëndroi në fshatin e prindërve të saj, vend i cili ishte pushtuar. Artemi i kishte thënë të shkonte në një vend ku kontrollohej nga Ukraina.

Mirëpo nëna e Katerynas kishte kancer të shkallës së katërt. Ajo donte të kujdesej për të ëmën.

“Ai e dinte se nuk do të largohesha, sepse nuk do të isha në gjendje t’i thosha lamtumirë nënës sime”, ka treguar Kateryna.

Më 14 prill të vitit 2022 nëna e Katerynas vdiq. Mbajti zi për gati dy javë. Vetë atëherë mori guximin të largohej.

Nuk kishte asnjë rrugë të sigurt të largohej nga vendi i okupuar - nuk kishte korridore humanitare, nuk kishte as organizata ndërkombëtarë që garantonin sigurinë e civilëve. Kateryna dhe Timuri përfunduan në makinën e një çifti i cili u kishte ofruar ndihmë, ani pse statusi i saj si gruaja e një ushtari ishte rrezik shtesë.

Brenda dy ditëve, ata udhëtuan për në Zaporizhzhia – udhëtim që bëhej për tri orë para luftës. Në postblloqet ruse – ata u treguan ushtarëve se Kateryna ishte nusja e djalit të tyre dhe po udhëtonin për te djali i tyre, i cili ishte në territorin e kontrolluar nga Ukraina.

Timuri ishte vetëm 9-mujash dhe Kateryna qëndroi e fortë, duke e mbajtur pranë.

“Si mund ta lejoj veten të jem e dobët, kur burri im u përball me beteja kaq të vështira?” - i kishte thënë ajo vetes.

Pasi arriti e sigurt në Zaporizhzhia, ajo mori rrugën për në Kiev, ku jetonte kunata e saj. Filloi një fazë e re e luftës - gati 21 muaj në pritje të kthimit të Artemit nga robëria.

“Po të presim”

Artemi ishte në mesin e më shumë se 2.500 ushtarëve të kapur rob nga rusët, kur u dorëzuan pas luftimeve të ashpra në fabrikën e çelikut “Azovstal” në Mariupol. Ishin 86 ditë luftime të pamëshirshme.

Kateryna humbi gjurmët e ditëve, muajve e viteve. Ajo zgjohej çdo natë në ankth. Ku ishte Artemi? Çfarë po ndodhte me të? Asaj nuk i interesonte se çfarë rrobash vishte apo çfarë ushqimi hante.

I vetmi që mund ta nxirrte nga errësira ishte Timuri. Ai u rrit një fëmijë i shëndetshëm, duke i ngjarë çdo ditë e më shumë Artemit, thotë Kateryna.

Ajo i tregoi Timurit foton e Artemit në telefonin e saj dhe i tha që babi do të telefononte dhe një ditë dhe do të kthehej në shtëpi.

“Përshëndetje, babi”, Timuri thoshte në telefon.

Herë të tjera, ai i afrohej xhaxhait dhe e thërriste baba. Kateryna e korrigjonte butësisht, duke treguar sërish foton në telefonin e saj.

“Ky është babai Timur, ai do të kthehet së shpejti”.

Teksa Timur u rrit, Kateryna filloi të merrte pjesë në takime me të afërmit e të burgosurve të luftës. Ajo nuk dinte gjë për situatën e Artemit.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq kishte konfirmuar se ai u kap pasi u dorëzua në “Azovstal”. Gati 9 muaj kaluan para se të merrte informatën tjetër, kur shokët e Artemit u liruan gjatë një shkëmbimi. Ata i thanë asaj se ai ishte në rajonin e pushtuar të Luhanskut. Njëri i tha Katerynas se Artemi i dërgoi përqafime dhe i shprehu dashurinë e tij të thellë. Shpresat iu rritën.

“Më dukej sikur ai më përqafoi më të vërtetë”, ka theksuar ajo.

Herë pas here, ajo hapte Google Maps për ta llogaritur distancën midis tyre. Disi, kjo e bënte më të lehtë sfidën e saj.

Ajo shpiku edhe disa marifete për t’u ndier gjithmonë e lidhur me të. Rregulloi çelësa dublikatë për apartamentin e tyre në Kiev dhe porositi një zinxhir çelësash me mesazhin: “Të dua shumë. Po të presim në shtëpi”.

Ribashkimi

Më 8 shkurt, Kateryna mori një mesazh nga Shtabi Koordinues për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës.

Artem Dmytryk ishte pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve. Ajo nuk mund t’iu besonte syve.

Disa orë më vonë, ai telefonoi.

“Jam në Ukrainë”, tha ai.

Ata folën në telefon gjithë natën. Pastaj Artemi dhe ish-të burgosur të tjerë u sollën me autobus në Kiev. Atë mëngjes, Katernya më në fund solli në spitalin ushtarak një çantë që kishte përgatitur prej kohësh. Artemi atje do t’i nënshtrohej rehabilitimit.

Ata thuajse nuk flasin fare për robërinë. Artemi, tani 25 vjeç, nuk dëshiron të tregojë atë që ka kaluar. Në vend të kësaj, ata fokusohen për të kompensuar gjërat që kanë humbur.

“Prapë po e njohim njëri-tjetrin, po biem sërish në dashuri”, ka thënë Kateryna, tani 23-vjeçare.

Të dy kanë ndryshuar. Ata janë më të fortë se përpara 24 shkurtit të 2022-tës. Kjo sjell sfida të reja, pasi ata mësojnë të jetojnë sërish me njëri-tjetrin.

“Nuk është se mund të kthehemi në një jetë krejtësisht paqësore”, ka theksuar Kateryna.

Ajo shpesh mendon për mijëra ushtarë ukrainas ende në robëri, ani pse familja e saj gëzon fundin e lumtur të këtij kapitulli.

Natën e parë që Artemi kaloi në shtëpinë e tyre në Kiev, Kateryna po flinte e qetë.

Artikuj të ngjashëm