Botë

2023-ta, viti i fitores së Ukrainës

Kur fëmijët e lindur më 24 shkurt të vitit 2022 po frynin qirinjtë e ditëlindjes së tyre të parë dhe në të gjitha ditëlindjet që do t’i festojnë – ukrainasit e tjerë do të jenë duke ndezur qirinjtë për të kujtuar më të dashuri e tyre të vrarë nga Rusia

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, është zotuar se viti 2023 do të jetë vit i fitores së Ukrainës kundër Rusisë. Këtë qëndrim ai e mbajti të premten kur së bashku me bashkëvendësit e tij shënuan përvjetorin e zymtë të pushtimit rus që ai e quajti “dita më e gjatë e jetës sonë”.

Teksa mëngjesi filloi me përkujtime dhe reflektim, presidenti Zelenskyy me zë të zymtë kundërshtimi përdori përvjetorin e 24 shkurtit për të lavdëruar ukrainasit për qëndrueshmërinë e tyre përballë luftës më të madhe dhe më vdekjeprurëse të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai ka thënë se ukrainasit e kanë treguar veten se janë të të pathyeshëm në atë që ai e quajti “një vit dhimbjeje, pikëllimi, besimi dhe uniteti”.

“Ne mbijetuam ditën e parë të luftës në shkallë të gjerë. Nuk e dinim se çfarë do të sillte e nesërmja, por e kuptuam qartë se për çdo të nesërme duhet të luftosh. Dhe ne luftuam”, ka thënë Zelenskyy.

Ishte “dita më e gjatë e jetës sonë. Dita më e vështirë e historisë sonë moderne. Ne u zgjuam herët dhe nuk kemi fjetur që atëherë”, ka thënë ai.

Ukrainasit morën pjesë në përkujtim, mbajtën vigjilje dhe dedikime të tjera për dhjetëra mijëra të vdekurit e tyre – një numër që po rritet gjatë gjithë kohës ndërsa luftimet janë ndezur në veçanti në Ukrainën lindore. Megjithëse e premtja shënoi përvjetorin e pushtimit në shkallë të plotë, lufta midis forcave të mbështetura nga Rusia dhe trupave ukrainase është ndezur në lindje të vendit që nga viti 2014. Video e re nga atje e xhiruar me një dron për Associated Press tregoi se si qyteti i Marinkas është bërë rrafsh me tokë së bashku me qytetet e tjera.

Teksa po priste në rend në kryeqytet për të blerë pulla postare përkujtimore për përvjetorin, Tetiana Klimkova ka thënë se një vit pas pushtimit ajo nuk ishte në gjendje të kuptonte “ndjenjën se zemra jote po ndalon vazhdimisht, po ndalon dhe po dhemb”.

Nuk ka paqe

Megjithatë, “kjo ditë është bërë për mua një simbol që kemi mbijetuar për një vit të tërë dhe do të vazhdojmë të jetojmë”, ka thënë ajo. “Në këtë ditë fëmijët dhe nipërit tanë do të kujtojnë se sa të fortë janë ukrainasit mendërisht, fizikisht dhe shpirtërisht”.

Por paqja nuk duket askund. Kina bëri thirrje për armëpushim – ide e refuzuar më parë nga Ukraina nga frika se do të lejonte Rusinë të rigrupohej ushtarakisht pas humbjeve të njëpasnjëshme në frontin e luftës.

Ky sugjerim gjithashtu duket si i dobët, duke pasur parasysh se vendet perëndimore po punojnë për të shtrënguar më tej lakun e sanksioneve, jo për ta liruar atë. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar vendosi më shumë sanksione të premten ndaj firmave që furnizojnë pajisje ushtarake në Moskë dhe tha se do të ndalojë eksportet në Rusi të pjesëve të avionëve dhe komponentëve të tjerë.

Ukraina gjithashtu po përgatit një tjetër shtytje ushtarake për të rikthyer forcat ruse – me armatim që po derdhet nga Perëndimi.

“Ukraina po hyn në një periudhë të re, me një detyrë të re – të fitojë”, ka thënë ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksiy Reznikov në Facebook.

“Nuk do të jetë e lehtë. Por ne do t’ia dalim”, ka shtuar ai. “Ka tërbim dhe një dëshirë për t'u hakmarrë për të rënët”.

Me mëshirë, alarmet e sulmit ajror nuk u dëgjuan brenda natës në Kiev dhe mëngjesi filloi i qetë, duke zbutur shqetësimet se Rusia mund të lëshonte një breshëri tjetër raketash për të grumbulluar akoma më shumë trishtim në Ukrainë në datën e përvjetorit.

Megjithatë, qeveria rekomandoi që shkollat të zhvendosin klasat përmes internetit dhe punonjësve të zyrës iu kërkua të punonin nga shtëpia. Dhe, edhe pse hipën në metronë e Kievit për në punë, blenë kafe dhe ishin të zënë, ukrainasit u përhumbën në mënyrë të pashmangshme nga mendimet e humbjes dhe kujtimet e një viti më parë, kur raketat goditën, rusët pushtuan kufijtë e Ukrainës dhe filloi një eksod refugjatësh. Në atë kohë kishte frikë se vendi mund të binte brenda ditëve ose javëve.

Mykhailo Horbunov, 68-vjeçar, që përpiqet të rindërtojë në Kiev pasi u detyrua të largohej nga fshati i tij i pushtuar nga Rusia në jug, ka thënë se pushtimi kishte qenë një pikë uji në jetën e tij. Ai humbi biznesin e tij bujqësor dhe trupat ruse kanë gjashtë muaj që jetojnë në shtëpinë e tij. Ai e përshkroi ndikimin e luftës tek ai si "një kolaps".

Dita ishte veçanërisht prekëse për prindërit e fëmijëve të lindur saktësisht një vit më parë, pasi bombat filluan të vrisnin dhe sakatonin.

"Është një tragjedi për të gjithë vendin, për çdo ukrainas", tha Alina Mustafaieva, e cila lindi vajzën Yeva ndërsa shpërthimet e para jehonin në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

“Familja ime ishte me fat. Nuk humbëm askënd dhe asgjë. Por, shumë vepruan dhe ne duhet ta ndajmë këtë humbje së bashku”, tha ajo.

Homazhet për qëndrueshmërinë e Ukrainës erdhën nga jashtë. Kulla Eiffel në Paris ishte ndër monumentet e ndriçuara me ngjyrat e Ukrainës - të verdhë dhe kaltër.

Zelenskyy e nisi herët ditën, duke publikuar një postim në Twitter që premtonte: "Ne e dimë se viti 2023 do të jetë viti i fitores sonë!"

Ai e ndoqi këtë me video-adresimin e tij në të cilin ai u zotua të mos braktiste ukrainasit që jetonin nën pushtimin rus.

Ukraina “nuk ju ka harruar, nuk ka hequr dorë nga ju. Në një mënyrë apo tjetër, ne do të çlirojmë të gjitha tokat tona”, tha ai.

Fëmijët e luftës

Anastasiia Morhun e dinte se lindja e fëmijës do t’ia ndryshonte jetën. Ishte përgatitur për këtë ditë dhe ëndërronte se çfarë prindër do të ishin së bashku me bashkëshortin e saj. Mirëpo, nuk kishte se si të ishte gati për luftën që Rusia e nisi më 24 shkurt të vitit 2022 – ditën kur ajo lindi Romanin.

“Ndjeva frikë. Para së gjithash ishte mohim i asaj që po ndodhte, ishte frikë dhe keqkuptim. Sepse nuk mund ta kuptoja se si ishte e mundur një gjë e tillë. Sapo kisha lindur dhe më pas ndodhi diçka e tillë. Domethënë po bëja disa plane, si do të kujdesesha për të, çfarë prindër do të ishim. Pastaj gjithçka u shkatërrua në vetëm një moment”, ka thënë ajo.

Në vend të momenteve të para të bukura mes nënës dhe të porsalindurit, Morhun dhe Romani kaluan ditët e para në bodrumin e spitalit teksa raketat ruse binin kudo nëpër Ukrainë. Morhun kishte dhimbje për shkak të lindjes cezariane.

“Për ta thënë më troç, ka qenë vit i vështirë, por shumë i lumtur pasi ishim gati për fëmijën. Kemi pritur shumë gjatë për të. Mbi të gjitha është vit kur u bëra nënë. Pastaj lufta ndryshoi planet tona të mëdha, mirëpo nuk e ka shuar kënaqësinë time që të jem nënë”, ka thënë Morhun.

Edhe Alina Mustafaieva u bë nënë për herë të parë kur Yeva lindi gjatë shpërthimeve të para në Kharkiv, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës.

“Dua që fëmijët e mi të mbajnë mend dhe ta dinë se çfarë është Rusia. Atë që përjetuan nënat e tyre dhe çfarë ka mundur të ndodhte. Faleminderit Zotit që nuk ndodhi. Çfarë u ka ndodhur fëmijëve të tjerë dhe prindërve të tyre”, ka thënë Mustafaieva.

Kur ata do t’i fryjnë qirinjtë e parë të ditëlindjes së fëmijëve dhe të gjithë ditëlindjeve që do t’i festojnë – ukrainasit e tjerë do të jenë duke ndezur qirinjtë për të kujtuar më të dashuri e tyre të vrarë nga Rusia.

Luftëtari i huaj

Ushtari britanik që ka luftuar përkrah ukrainasve kundër Rusisë ka rrëfyer për torturat pas kapjes nga forcat ruse.

Në një intervistë për transmetuesin britanik “Sky News”, Shaun Pinner ka treguar se ishte kapur nga rusët pasi ata shtien vetëm një herë në ajër.

“Më kapën sapo ngjita kodrën. Eca drejt një pike vëzhgimi dhe para më doli një ekip mortajash. As që i pashë nga lisat. Thjesht shtien në paralajmërim dhe kjo gjë më dha kohë të mjaftueshme për të hedhur telefonin në pellg dhe për t’u siguruar se nuk do ta merrnin telefonin”, ka thënë Pinner.

Si rob lufte, Pinner ka rrëfyer se si rusët i thoshin se në lajme ai ishte shpallur i vdekur, ashtu si në internet teksa e detyronin të shikonte videot e torturave të tij.

“Pastaj më thanë: ‘Ky je ti, je i vdekur në internet. Më tregonin fotografi të pasaportës, në të cilën kishin shkruar se jam i vdekur dhe e postuan në internet. Ata më përsëritnin videon e torturës, ishte shumë e rëndë. Shpresoja dhe ju thosha: ‘Postojeni videon! Postojeni!’. U thosha kështu me qëllim që të shtohej si provë”, ka shtuar ushtari britanik.

Pinner u lirua në shtatorin e vitit të kaluar së bashku me katër britanikë të tjerë. Ata u shkëmbyen me të burgosur rusë. Këtë proces e ndërmjetësoi Arabia Saudite.

Mirëpo, pavarësisht torturave dhe gjërave të rënda që ka përjetuar, ushtari britanik thotë se nuk mund të urrejë një komb të tërë.

Ai shton se Ukraina nuk është e gatshme të bisedojë për paqe, pasi Rusia ngadalë do të vazhdojë të pushtojë territore, ashtu siç ka bërë me Krimenë.

Një vit më pas shifrat e viktimave janë të tmerrshme nga të dyja palët, megjithëse Moska dhe Kievi po mbajnë të fshehta shifra të sakta. Vlerësimet perëndimore sugjerojnë qindra mijëra të vrarë dhe të plagosur. Dështimi i ushtrisë ruse për të përmbushur objektivin e saj fillestar për të pushtuar Kievin e dëmtoi rëndë reputacionin e saj si një forcë luftarake. Megjithatë, ajo ka lëshuar një breshëri të pandërprerë fuqie zjarri në Ukrainë gjatë vitit të kaluar. Forcat e armatosura të Ukrainës vlerësuan rreth 5 mijë sulme me raketa, 3.500 sulme ajrore dhe 1 mijë sulme me dronë.

Pasojat ekonomike kanë shpërthyer në të gjithë globin. Pasojat diplomatike gjithashtu. Vendet perëndimore po mbështesin Ukrainën ushtarakisht, financiarisht dhe politikisht. Por Kina, India dhe vendet në jugun global janë treguar ambivalente në lidhje me argumentet perëndimore se Ukraina është vija e parë e luftës për liri dhe demokraci.

Përgatitën: Forca Jashari dhe Gent Mehmeti