Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në njëvjetorin e fillimit të luftës ka thënë se gjatë vitit 2023 ukrainasit do të bëjnë përpjekje të mëdha për të arritur te fitorja kundër Rusisë.
E premtja ka shërbyer si ditë për të përkujtuar të rënët dhe për të reflektuar. Zelenskyy ka shfrytëzuar përvjetorin e luftës për të nderuar ukrainasit për rezistencën e tyre në një prej luftërave më të mëdha të Evropës që prej Luftës së Dytë Botërore.
“Nuk do të pushojmë kurrë derisa vrasësit rusë të marrin dënimin e merituar. Dënim nga Tribunali Ndërkombëtar. Gjykim nga Zoti për luftëtarët tanë. Ose krejt së bashku. Vendimi është i qartë, para nëntë vjetësh fqinji ynë u bë agresor. Një vit më parë, agresori u bë ekzekutues, plaçkitës dhe terrorist. Nuk dyshojmë se do të fitojmë”, ka thënë Zelensky.
Ai ka thënë se ukrainasit e kanë treguar veten si të pamposhtur në vitin e mbushur me dhimbje, pikëllim, besim dhe unitet.
“Besimi ynë është rritur. Morali është forcuar. I kemi rezistuar ditës së parë të luftës. Nuk e dinim se çfarë do të ndodhë të nesërmen, por e kuptuam se ia vlen të luftosh për çdo të nesërme. Pastaj luftuam çdo ditë. Na kërcënuan se nuk do të ekzistonim pas 72 orësh. Por i mbijetuam ditës së katërt dhe të pestë. Sot po qëndrojmë para jush, fiks një vit pas luftës. Ende e dimë: ia vlen të luftosh për çdo të nesërme”, është shprehur ai.
Ukrainasit në njëvjetorin e fillimit të luftës kanë ndezur qirinj në shenjë përkujtimi për mijëra bashkëkombës të vrarë – numri i të cilëve po rritet vazhdimisht shkaku i luftimeve në lindje të Ukrainës.
Edhe
2023-ta, viti i fitores së Ukrainës
Një vit më vonë, askush nuk flet për paqe. Kina të premten ka bërë thirrje për armëpushim – ide të cilën e ka refuzuar Ukraina me frikën se do t’ia mundësonte Rusisë të rigrupohej për sulmet e reja.
Ministria kineze e Punëve të Jashtme ka publikuar letrën me 12 pika me të cilën është kërkuar fundi i sanksioneve perëndimore që kanë tkurrur ekonominë e Rusisë.