Botë

“Nuk mund të shpëtoj”, dyshime për abuzime në Tigray të Etiopisë

Banorët e Tigrayt kanë qenë në shënjestër gjatë gjithë konfliktit, ndërsa forcat etiopiane dhe aleate luftojnë kundër luftëtarëve të Tigrayt, të cilët dominonin prej kohësh qeverinë kombëtare përpara se kryeministri Abiy Ahmed të merrte detyrën tre vjet më parë. Disa nga abuzimet më të këqija janë raportuar në rajonin perëndimor të Tigrayt, i cili është pushtuar nga autoritetet dhe luftëtarët nga rajoni fqinj Amhara dhe ushtarë nga Eritrea

Rrëfimet e reja të dëshmitarëve pretendojnë se mijëra banorë të Tigrayt janë dëbuar, ndaluar ose vrarë me forcë në një nga zonat më të paarritshme të luftës njëvjeçare të Etiopisë, në valën e fundit të abuzimeve të kryera me hanxharë, armë dhe thika.

Pas një raporti nga “Associated Press”, në fillim të muajit të kaluar, i cili emëronte personat që u larguan, deklarata e përbashkët e së enjtes nga “Human Rights Watch” dhe “Amnesty International” bazohet në intervistat me më shumë se 30 dëshmitarë dhe të afërm të tyre. Kjo deklaratë vjen përpara mbledhjes të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut të premten në Etiopi, qeveria e së cilës kundërshton atë që e konsideron si ndërhyrje të Perëndimit për luftën që ka vrarë dhjetëra e mijëra njerëz.

“Ata thanë se nuk do të jenë përgjegjës për asnjë rrahje dhe vrasje që do të na ndodhte nëse dështojmë të shkojmë”, tha një dëshmitar në fund të muajit të kaluar, duke thënë se edhe njerëzit e tjerë si ai janë në shënjestër. Sikurse të tjerët, ai foli në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes.

“Unë nuk mund të shpëtoj askund”, tha ai, duke vënë në dukje pikat e shumta të kontrollit që rrethojnë rajonin perëndimor të Tigrayt. “Nuk ka rrugëdalje nga ky kurth”.

Banorët e Tigrayt kanë qenë në shënjestër gjatë gjithë konfliktit, ndërsa forcat etiopiane dhe aleate luftojnë kundër luftëtarëve të Tigrayt, të cilët dominonin prej kohësh qeverinë kombëtare përpara se kryeministri Abiy Ahmed të merrte detyrën tre vjet më parë. Disa nga abuzimet më të këqija janë raportuar në rajonin perëndimor të Tigrayt, i cili është pushtuar nga autoritetet dhe luftëtarët nga rajoni fqinj Amhara dhe ushtarë nga Eritrea.

Abuzimet e reja

Abuzimet e fundit duket se janë të lidhura me sulmin e fundit të forcave të Tigrayt, për të cilin Qeveria e Etiopisë pohon se është zbutur pasi kryeministri, një fitues i Çmimit “Nobel” për Paqe dhe ish-ushtar, shkoi vetë në frontin e betejës. Dëshmitarët thanë se autoritetet në pjesën perëndimore të Tigrayt paralajmëruan në takime publike se nuk do mbështesin luftëtarët e Tigrayt, të cilët vetë janë akuzuar për një numër abuzimesh në luftë.

Deklarata e fundit e “Human Rights Watch” dhe “Amnesty International” thotë se forcat e sigurisë së Amharasë janë përgjegjëse për valën e fundit të dëbimeve, ndalimeve dhe vrasjeve, dhe paralajmëron se tigrajanët që ndodhen në paraburgim janë “në rrezik të madh”. Duke pohuar se forcat e sigurisë grumbulluan sistematikisht banorët në komunitetet Humera, Adebay dhe Rawyan, duke ndarë familjet dhe duke dëbuar gratë dhe fëmijët.

“Ata ndanë të moshuarit nga të rinjtë, ua morën paratë dhe posedimet e tjera. Të moshuarit dhe prindërit ngarkoheshin në kamionë të mëdhenj që shkonin në lindje, ndërsa të rinjtë mbetën prapa”, u tha një dëshmitar në Rawyan grupeve të të drejtave të njeriut. Në Humera, dëshmitarët përshkruan se kishin parë deri në 20 kamionë që transportonin njerëz. Shpesh nuk është e qartë se ku dërgohen.

“Thanë se fillimisht do të dërgojnë një pjesë të tigrajanëve dhe më pas do të dërgojnë gjysmën tjetër”, tha një banor i Tigrayt.

“Tigrajanët po zhduken gjatë gjithë kohës këto ditë”, tha një banor i Humeras. “Nuk ka asnjë mënyrë për të zbuluar se kush po i merr, ku po mbahen dhe nëse janë gjallë apo jo”. Ai pohoi se qendra të ndryshme paraburgimi drejtohen nga forcat etiopiane, eritreane dhe amhara.

Një zëdhënës i rajonit Amhara, Gizachew Muluneh, në një deklaratë i hodhi poshtë akuzat si “krejtësisht të pabaza dhe të pajustifikueshme”. Para së gjithash, nuk ka asnjë vend të quajtur Tigray perëndimor në rajonin e Amharas” – duke nënvizuar pretendimin se autoritetet e Amharas thjesht po rimarrin tokën që e shohin si të tyren. Ai i kërkoi gjithashtu komunitetit ndërkombëtar t’i hetojë abuzimet e supozuara të përhapura nga forcat Tigray kundër civilëve në rajonin Amhara.

Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se 20.000 njerëz u dëbuan kohëve të fundit nga Tigray perëndimore, shumica prej tyre gra, fëmijë dhe të moshuar. OKB-ja ka thënë se më shumë se 1 milion banorë janë zhvendosur që nga fillimi i luftës në nëntor të vitit 2020.

Por, jo të gjithë mund të largohen. Dëshmitarët kanë pohuar se qindra e mijëra tigrajanë mbahen në qendra paraburgimi të mbipopulluara në pjesën perëndimore të Tigray, një pjesë e të cilëve mbahen diku tjetër në Etiopi mes dyshimeve të nxitura nga gjuha e urrejtjes nga disa zyrtarë të lartë të qeverisë. Qeveria ka thënë se po synon vetëm forcat e Tigrayit.

Vdekjet në burgje

Një i burgosur në Humera u tha grupeve të të drejtave të njeriut se ai u arratis muajin e kaluar, ndërsa ngarkonte trupat e të burgosurve të tjerë në një traktor dhe pohoi se ai njihte të paktën 30 njerëz që vdiqën në paraburgim.

“Ata nuk mund ta përballonin torturën, prandaj edhe po vdisnin”, tha ai. Dëshmitarët përshkruan rrahjet me mjete të ndryshme duke treguar se gjithashtu iu kishte mohuar ushqimi dhe ilaçet.

Dëshmitarët thanë se disa njerëz që përpiqeshin të largoheshin nga grumbullimet në Adebay u sulmuan dhe u vranë, me disa luftëtarë të Amharasë që kontrollonin çdo shtëpi me sëpatë. “I gjithë qyteti mbante erë” me trupa të vdekur, tha një burrë.

Grupet për të drejtat e njeriut po u bëjnë thirrje autoriteteve etiopiane që t’u japin fund sulmeve ndaj civilëve dhe t’u japin menjëherë akses grupeve të ndihmës në Tigrayn perëndimore. Ata gjithashtu i bëjnë thirrje Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut që të krijojë një mekanizëm të pavarur për të hetuar abuzimet e luftës, përfshirë nga forcat Tigray dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ta vendosë Etiopinë në agjendën e tij zyrtare.

“Paraliza globale në konfliktin e armatosur të Etiopisë i ka inkurajuar abuzuesit e të drejtave të njeriut të veprojnë pa u ndëshkuar dhe i ka lënë komunitetet të ndihen të braktisur”, tha Laetitia Bader e “Human Rights Watch”.

Qeveria e Etiopisë ka kërkuar t’i kufizojë raportimet mbi luftën, duke arrestuar disa gazetarë, përfshirë një punëtor të pavarur, Amir Aman Kiyaro, dhe duke i ndaluar të tjerët të hyjnë në Etiopi.

Shqetësimet e OKB-së

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se të gjitha palët kanë shkelur të drejtat e njeriut në Etiopi. Madje, në disa raste janë kryer edhe krime kundër njerëzimit, thuhet në raportin e OKB-së.

Është faktuar se si në konfliktin e forcave të armatosura të Etiopisë dhe rebelëve në Tigrej janë kryer ekzekutime, tortura, dhunime dhe sulme kundër refugjatëve. Në raportin e përbashkët të Komisionit Etiopian të të Drejtave të Njeriut dhe Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut thuhet se ka edhe dëshmi për krime lufte.

Në shtetin afrikan lufta ka shpërthyer më 4 nëntor të vitit të kaluar.

Gjithçka nisi kur kryeministri Abij urdhëroi një ofensivë kundër forcave rajonale të Tigrejt. Rebelët thuhet se tashmë janë nisur në drejtim të kryeqytetit, duke detyruar Qeverinë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

Shefja politike e Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo, ka thënë se rreziku i rrëshqitjes së Etiopisë në luftë të gjerë civile është real, duke shtuar se reperkusionet politike të “intensifikimit të dhunës në rajonin më të gjerë do të përshkallëzoheshin edhe për shkak të krizave të tjera që kanë përfshirë Bririn e Afrikës.

Gjatë adresimit para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nënsekretarja e përgjithshme për çështje politike dhe të paqes ka thënë se vendi me 110 milionë banorë mund të përfshihet në konflikt të madh edhe për shkak të mbi 90 grupeve etnike e 80 gjuhëve të ndryshme.

Më shumë se shtatë milionë njerëzve u duhet ndihma humanitare vetëm në Etiopinë veriore. Më shumë se 400 mijë qytetarë po jetojnë në kushte të zisë së bukës në rajonin separatist, Tigray.

Përktheu: Kaltrina Selimi