Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Një rast dhe izolim total – mësimi australian i pandemisë për botën

Përgjigjja e shpejtë dhe e ashpër e vendit gjithherë ka shtypur virusin dhe ka lejuar kthimin e qytetarëve në një pothuajse normalitet. Tani ky model po zbatohet edhe në Perth, qytetin e katërt më të madh të vendit, pasi një rojë i karantinimit ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus

Një rast i vetëm. Roja i sigurisë në hotelin e karantinimit ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus dhe ka shfaqur simptoma të buta.

Kaq ishte e mjaftueshme për qytetin e Perthit, të katërtit më të madh në Australi, që të ndërmarrë ngutshëm izolimin total. Dhe tani dy milionë qytetarë janë ngujuar brenda mureve të shtëpive, për të paktën pesë ditët e ardhshme.

Si rrjedhojë, udhëheqësi kryesor i shtetit, Mark McGowan, i cili po përballet me zgjedhjet muajin e ardhshëm, po u bën thirrje qytetarëve që të sakrifikojnë për veten dhe për vendin.

“Kjo është një situatë shumë serioze”, ka thënë ai para gazetarëve, pas shfaqjes së rastit, i pari në shtetin e Australisë Perëndimore i evidencuar jashtë zonës së karantinës për më shumë se 10 muaj. “Secili prej nesh duhet të bëjë çmos për ta ndalur përhapjen përtej komunitetit”, ka shtuar ai.

Edhe Mbi 2 milionë australianë në izolim, pas një rasti të ri me koronavirus Botë Mbi 2 milionë australianë në izolim, pas një rasti të ri me koronavirus

Ngutja dhe ashpërsia e përgjigjes, sipas të përditshmes amerikane “New York Times”, mund të jetë e paimagjinueshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën, ku përditë raportohen larg më shumë raste të infektimit dhe nuk ndërmerren as përgjysmë masa të ashpra sa në Australi. Por për australianët, masa është goxha e njohur.

Izolimi në Perth dhe zonat përreth ka pasuar përpjekjet e ngjashme në Brisbane dhe Sydney, ku një grumbull rastesh kishin shpjerë në kufizime të serta, në shtypjen e virusit dhe në rikthimin në një normalitet të pjesshëm.

“Pyetni australianët për qasjen dhe do të shihni se ata vetëm do t’i rrudhin supet. Në vend të zemërimit apo kundërpërgjigjes për shtypjen e lirisë së tyre, ata janë mësuar në një rutinë COVID-i me dhembje afatshkurtër kolektive”, ka shkruar gazeta amerikane.

Image

Për dallim prej SHBA-së dhe Evropës, dukshëm më pak australianë kanë vdekur në total (909 syresh) sesa që vdesin mesatarisht gjatë një dite në Britani dhe Amerikë.

“E kemi një mënyrë për të shpëtuar jetë, për t’i hapur ekonomitë dhe për të shmangur të gjithë frikën dhe panikun”, ka thënë Ian Mackey, një virolog në Universitetin e Queenslandit. “Të gjithë mund të marrin mësim prej nesh, por jo të gjithë duan që të binden”.

Australia është vetëm njëra prej disa vendeve që janë cilësuar si rrëfime suksesi në rajonin Azi-Paqësor. Fuqitë e tjera të rajonit, përfshirë Zelandën e Re, Tajvanin, Tajlandën dhe Vietnamin, po e menaxhojnë përherë e më mirë virusin, derisa fuqitë e mëdha të pas Luftës së Dytë Botërore po ngecin.

Qendra e besimit, nëse jo e gravitetit, sipas “NYT”, po lëviz nga Lindja, sidomos tani me rikthimin e Kinës në një lloj normaliteti të pandemisë. Bashkë me suksesin në shëndetin publik, disa argumentojnë se vjen jo vetëm shëndeti dhe ekonomitë më stabile, por edhe krenaria kombëtare dhe ekspertizat praktike që i kërkojnë viruset në mutacion.

Edhe Qyteti australian futet në izolim, një rojë rezultoi pozitiv me koronavirus Botë Qyteti australian futet në izolim, një rojë rezultoi pozitiv me koronavirus

Në rastin e vetëm të Perthit, vendi ka shënuar sukses edhe në gjurmimin e kontakteve. Kontaktet veçse janë testuar teksa autoritetet kanë evidencuar me dhjetëra lokacione, ku roja i infektuar mund të ketë prekur apo frymuar me dikën.

Megjithëkëtë, beteja e Australisë me COVID-19 nuk ka qenë pa të meta. Rasti në Perth ilustron ashpërsimin pas qasjes fillestare të butë. Mirëpo dëshmitë e suksesit kanë kërkuar muaj të tërë për t’u shpërfaqur dhe janë formësuar në dhjetor. Asokohe Brisbani ishte vënë në izolim sherri i pak rasteve, e më pas disa më të shumtave. Si rrjedhojë kishin shkuar huq shumë udhëtime të planifikuara. Ishin ndërmarrë testimet masive.

Ka pasur pak ankesa, por e gjithë përpjekja ia ka vlejtur: Qyteti me më se pesë milionë banorë ka kaluar dy javë të tëra pa asnjë rast të përhapjes së koronavirusit në komunitet. Ama izolimi ndodhi sërish. Kësaj radhe pasi një pastrues në hotelin e karantinimit u infektua me variantin tejet të përhapshëm të virusit, të identifikuar fillimisht në Britaninë e Madhe. Dhe pas një periudhe në izolim, Brisbani është tani në një normalitet, sikurse pjesët e tjera të Australisë, pos Perthit.

Me gjithë shembullin australian, Evropa dhe SHBA-ja parapëlqejnë “izolimin e pjesshëm”.

Sipas një analize të kryer me respondentë nga 98 vende të botës, Lowy Institute, një organizatë kjo australiane e matjes së opinionit publik, ka treguar se shumë vende të Evropës ishin ranguar lart në rangimin sipas performancës ndaj COVID-19. Por tani, Britania, Franca dhe disa të tjera janë fare poshtë listës, bashkë me SHBA-në.

“Nuk kanë shkuar sa duhet larg”, ka thënë Harve Lemahieu, ekspert i institutit. “Kur kishin shënuar përparime, shumë shpejt janë relaksuar”.

Edhe Reagimet pas hapjes së dyerve australiane për turistët e huaj Botë Reagimet pas hapjes së dyerve australiane për turistët e huaj

Deri të hënën pasdite, asnjë i infektuar tjetër nuk është raportuar në Australinë Perëndimore nga rasti në Perth. Megjithëkëtë, maskat dhe respektimi i masave janë sikurse një lloj “amini” për qytetarët.

“E dini atë këngën e John Prines – ‘Ka vetëm një grimcë ujë dhe ju duket sikur po mbyteni”, ka thënë Allan Thompson, një bankier nga Perthi. “Për ta parafrazuar këtë, ne aktualisht kemi një grimcë uji dhe nuk mendojmë se do të mbytemi. Mendojmë se do t’ia dalim mbanë. E dimë se e mira vjen duke i bërë gjërat e duhura, në kohën e duhur”.