Botë

Netanyahu: Starmeri, Macroni e Carney janë në anën e gabuar të historisë

Benjamin Neanyahu

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar të enjten përmes një videoje të postuar në rrjetin social X, se liderët botërorë si kryeministri britanik, Keir Starmer, presidenti francez, Emmanuel Macron e kryeministri kanadez, Mark Carney, janë në anën e gabuar të historisë.

“Ju jeni në anën e gabuar të drejtësisë, ju jeni në anën e gabuar të njerëzimit dhe në anën e gabuar të historisë”, ka thënë Netanyahu.

Ai i kritikoi për kërkesën e menjëhershme për armëpushim në Rripin e Gazës dhe kërcënimin e Izraelit me sanksione, tek i ka akuzuar se po mbështesin Hamasin dhe po e lejojnë të mbijetojë dhe të rindërtohet, shkruan The Guardian.

“Këta tre liderë, në thelb, thanë se duan që Hamasi të mbetet në pushtet. Ata duan që Izraeli të tërhiqet dhe të pranojë që ushtria e vrasësve masivë e Hamasit do të mbijetojë dhe do të rindërtohet”, ka deklaruar Netanyahu.

Në lidhje me sulmin terrorist në Washington, Netanyahu është shprehur se ai ka ndodhur për shkak se “terroristi që i vrau ata (dy viktimat)” ishte i motivuar tërësisht nga bindje antisemite.

Këto komente të tij, janë bërë në kohën kur Britania e Madhe, Franca e Kanadaja e kanë dënuar zgjerimin e operacionit ushtarak të Izraelit në Gaza si “joproporcional”, e kanë përshkruar gjendjen në enklavën palestineze si “të patolerueshme” dhe kanë kërcënuar se do të ndërmarrin veprime “konkrete” nëse fushata ushtarake e Izraelit vazhdon.