Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka akuzuar të mërkurën presidentin francez, Emmanuel Macron, se po rreshtohet me grupin militant palestinez, Hamas, pas komenteve të tij se politika izraelite në Rripin e Gazës është “e turpshme”, ka raportuar The Guardian.
Netanyahu ka shtuar se Izraeli do të realizojë qëllimet e përcaktuara të luftës, ku bëjnë pjesë lirimi i pengjeve të mbajtura, mposhtja përfundimtare e Hamasit dhe demilitarizimi i plotë i Gazës, në mënyrë që të mos paraqesë rrezik për Izraelin.
Në një intervistë për televizionin francez “TF1”, tek iu përgjigj pyetjes rreth situatës në enklavën palestineze, Macroni pati kritikuar kryeministrin izraelit për sjellje “të papranueshme” dhe “të turpshme” sa i përket bllokadës së ndihmës humanitare në Gaza.
“Veprimet e qeverisë së Benjamin Netanyahut janë të papranueshme... S’ka ujë, s’ka ilaçe, të lënduarit s’mund të largohen, doktorët s’mund të hynë brenda. Çfarë po bën ai është e turpshme”, ka deklaruar Macroni të martën.
Lufta në Gaza filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë 1.200 njerëz në vitin 2023 në Izraelin jugor. Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë mbi 52,800 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë. Ofensiva e Izraelit ka zhdukur një pjesë të madhe të peizazhit urban të Gazës dhe ka zhvendosur 90% të popullsisë.