Botë

Netanyahu nuk përjashton sulme të tjera ndaj liderëve të Hamasit kudo që të jenë

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk ka përjashtuar sulme të mëtejshme ndaj udhëheqësve të Hamasit pas sulmit të javës së kaluar në Katar, duke thënë se ata nuk do të kenë imunitet "kudo që të jenë".

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio në Jerusalem, Netanyahu ka thënë se çdo vend ka të drejtë "të mbrohet përtej kufijve të tij".

Vendimi i Izraelit për të synuar udhëheqësit e lartë të Hamasit në Katar - një aleat i ngushtë i SHBA-së - shkaktoi zemërim ndërkombëtar dhe kritika nga presidenti i SHBA-së Donald Trump. Hamasi ka thënë se gjashtë persona janë vrarë por se udhëheqësit e tij mbijetuan.

Kur u pyet nëse SHBA-ja ishte e përfshirë në sulm, Netanyahu u ka thënë gazetarëve: "Ne e bëmë vetë. Pikë."

Takimi midis Rubios dhe Netanyahut vjen ndërsa udhëheqësit arabë mbajnë një samit në një shfaqje mbështetjeje për Katarin. Kryeministri i saj i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të ndalojë zbatimin e "standardeve të dyfishta" dhe të ndëshkojë Izraelin.

Në përgjigje të një pyetjeje nga gazetart nëse sulmi i Izraelit kishte dëmtuar marrëdhëniet e SHBA-së në rajon, Rubio ka shtuar se Uashingtoni mban marrëdhënie të forta me aleatët e Gjirit.

Katari mban një bazë ajrore të madhe amerikane dhe ka luajtur një rol kyç në ndërmjetësimin e përpjekjeve diplomatike për t'i dhënë fund luftës në Gaza, duke shërbyer si ndërmjetës i negociatave indirekte midis Hamasit dhe Izraelit.

Të dielën, Netanyahu u ka thënë gazetarëve se marrëdhënia SHBA-Izrael ishte po aq e qëndrueshme sa gurët në Murin Perëndimor, teksa ai dhe Rubio bënë një vizitë të shkurtër në vendin e shenjtë në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit.

Lexo përditësimet tjera
Marco Rubio dhe Benjamin Netanyahu

Rubio takohet me Netanyahun për të diskutuar pasojat e sulmit izraelit ndaj Katarit

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka nisur një takim me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në...