Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të enjten se Izraeli ka për synim që të kontrollojë të gjithë Rripin e Gazës, dhe se në fund, do ta dorëzojë eventualisht territorin në duart e forcave e armatosura që do ta qeverisin në mënyrën e duhur.
“E kemi ndërmend ta bëjmë këtë”, ka deklaruar ai gjatë intervistës për transmetuesin amerikan “Fox News”, kur u pyet nëse Izraeli do ta vendosë nën kontroll të gjithë enklavën palestineze.
“S’duam ta mbajmë. Duam që vetëm të krijojmë një parametër të sigurisë. S’duam ta qeverisim. S’duam që të jemi trupi qeverisës”, ka theksuar Netanyahu.
Këto komente të tij janë bërë publike gjersa takimi i kabinetit të sigurisë për të miratuar planet e lartcekura, që përbëhet nga vetë kryeministri izraelit dhe një grup i vogël i ministrave të lartë, tashmë ka filluar.
Ndërkaq, këto plane kanë hasur në kundërshtimin e shefit të Ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, i cili e ka paralajmëruar Netanyahun se pushtimi i pjesëve të mbetura të enklavës do të ishte kurth për forcat ushtarake, si dhe do të rrezikonte mirëqenien e pengjeve që po mbahen ende nga grupi militant palestinez, Hamas.
Sipas zyrtarëve të lartë, Ushtria izraelite tashmë kontrollon rreth 75 për qind të territorit të Gazës që prej fillimit të luftës të nxitur nga sulmi i Hamasit në Izraelin jugor gjatë tetorit të vitit 2023.
Netanyahu është nën presion të hatashëm ndërkombëtar për të arritur marrëveshje të armëpushimit, në mënyrë që t’i jepet fund konfliktit që e ka shkatërruar pjesën më të madhe të territorit që banohet me mbi 2 milionë palestinezë.