Vrasja e një gruaje të re në Itali, që dyshohet se erdhi nga duart e ish-të dashurit të saj posesiv, ka tronditur vendin dhe ka nxitur llogari për dhunën ndaj grave, shkruan BBC.
Më 11 nëntor – pak ditë para se 22-vjeçarja Giulia Cecchettin të merrte diplomën e inxhinierisë biomjekësore - ajo shkoi të blinte veshjen e diplomimit me ish-të dashurin e saj, Filippo Turetta.
Më pas, çifti u zhduk.
Disa ditë më vonë, u shfaqën pamjet e kamerave që tregonin momentet e fundit të jetës së saj.
Turetta, 22 vjeç, shihej duke rrahur ish-partneren e tij në një parking veturash afër shtëpisë së saj në Vigonovo, afër Venecias.
Ajo u përpoq të arratisej, por prokurorët thonë se ai i vendosi shirit në gojë, e futi me forcë në veturën e tij dhe shkoi në një zonë industriale, ku e sulmoi përsëri.
Pas një kërkimi njëjavor, trupi i saj u gjet në fund të një kanali, i mbështjellë me qese të zeza plastike.
Mbetjet e saj mbanin shenja të një vrasjeje brutale - koka dhe qafa e saj ishin të mbuluara me të paktën 20 plagë të thella me thikë. Ajo besohet se ka vdekur natën e 11 nëntorit.
Policia lëshoi urdhërarresti ndërkombëtar dhe nisi ndjekje masive për Filippo Turettan. Vetura e tij u gjurmua duke kaluar përmes Italisë veriore, në Austri dhe më pas në Gjermani.
Një javë më vonë, ai u arrestua pranë Leipzigut, në Gjermani, kur një shofer thirri policinë pasi vuri re se vetura ku Turetta qëndronte ishte parkuar në autostradë me dritat e fikur. Telefonuesi nuk e kishte idenë se 22-vjeçari kërkohej për vrasje.
Filippo Turetta deri më tani nuk është akuzuar zyrtarisht dhe do të ekstradohet në Itali të shtunën.
Të dhënat nga Ministria e Brendshme italiane tregojnë se 106 gra janë vrarë deri më tani në Itali këtë vit, 55 prej tyre dyshohet se nga partneri ose ish-partneri.
Vrasja e Giulia Cecchettin ka shkaktuar zemërim në Itali, ku shumë gra thonë se qëndrimet patriarkale janë të rrënjosura.
Protesta janë zhvilluar në të gjithë vendin.
Të shtunën priten të tjera protesta në disa qytete italiane, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.