Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shpërthejnë protestat në Itali pas vdekjes së një burri gjatë ndalimit nga policia

Bolonje

Protesta janë mbajtur në Itali pas vdekjes së një burri me origjinë marokene, i cili ka humbur jetën ndërsa po mbahej me forcë nga dy efektivë policie në qytetin verior të Bolonjës.

Mijëra persona kanë dalë në rrugë të hënën në mbrëmje duke kërkuar "drejtësi për Abderrahim Fakirin".

Një grup më i vogël protestuesish më pas është shkëputur nga turma kryesore dhe është përleshur me policinë deri vonë gjatë natës. Prokurorët kanë thënë se 64 policë kanë mbetur të lënduar gjatë trazirave.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka deklaruar se është thelbësore që të hetohen plotësisht rrethanat e vdekjes së tij, por ka shtuar se "asgjë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj forcave të rendit".

Policia ishte thirrur të dielën në mëngjes pasi një fqinj kishte parë Fakirin duke u sjellë në mënyrë të çrregullt dhe duke goditur me shkelma dyert e garazheve në lagjen punëtore Pilastro. Sipas policisë, efektivët fillimisht ishin përpjekur ta qetësonin situatën, por më pas kishin përdorur sprej me piper.

Edhe Arrestime në Itali pas protestave të dhunshme Botë 5 muaj më parë Arrestime në Itali pas protestave të dhunshme

Një video që po qarkullon në mediat italiane tregon dy policë të ulur mbi Fakirin, ndërsa ai qëndron i shtrirë me fytyrë përtokë dhe u bërtet atyre të ndalojnë. Një person i tretë, i cili nuk është polic, ia mban të palëvizura këmbët, ndërsa punonjësit e urgjencës qëndrojnë pranë.

Rreth dy minuta pas fillimit të videos, Fakiri ndalon së rezistuari. Policët i lidhin kyçet e duarve dhe të këmbëve dhe, kur njëri prej tyre kupton se Fakiri nuk po lëviz më, e godet dy herë lehtë në faqe. Në momentin që një punonjës i ambulancës afrohet, është e qartë se Fakiri ka humbur ndjenjat.

Prokuroria e Bolonjës ka hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia ndaj efektivëve të policisë dhe punonjësve të urgjencës mjekësore që ndodheshin në vendngjarje.

Disa dëshmitarë okularë u kanë thënë mediave italiane se, megjithëse Fakiri dukej se ishte në gjendje të rënduar, ai nuk po kërcënonte askënd dhe ishte qartësisht i paarmatosur.

"Nuk mund të vdesësh në këtë mënyrë”, ka thënë motra e tij, Khadija, për mediat italiane. "E vranë pa mëshirë dhe unë dua të dalë e vërteta”, ka shtuar ajo.

Kryetari i Bashkisë së Bolonjës, Matteo Lepore, i ka thënë gazetës italiane “La Repubblica” se kushdo që e ka parë videon ka mbetur i tronditur.

Edhe Tre policë të vdekur nga një shpërthim në Itali që dyshohet të jetë i qëllimshëm Botë 9 muaj më parë Tre policë të vdekur nga një shpërthim në Itali që dyshohet të jetë i qëllimshëm

Ai ka bërë thirrje për protestën e së hënës në mbrëmje në qendër të Bolonjës dhe ka ftuar mbesën e Fakirit të ngjitej në skenë.

Megjithëse protesta kryesore të hënën në mbrëmje ishte paqësore, rreth 100 protestues janë përleshur me policinë gjatë natës dhe u kanë vënë flakën dy automjeteve.