Dhjetëra liderë evropianë do të vlerësojnë një perspektivë të re globale përgjatë samitit njëditor në Budapest të Hungarisë të enjten, duke përfshirë edhe sfidën e zgjedhjes së Donald Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Krahas sfidave ekonomike, AP-ja ka shkruar të mërkurën se sytë do të jenë kthyer kah Uashingtoni për të parë nëse kthimi i Trumpit do të shkaktojë grindje politike në tërë kontinentin, si në mandatin e tij të parë. Për organizuesin e samitit, liderin hungarez Viktor Orban, gjërat në SHBA janë të qarta pasi u shpreh i lumtur me rezultatin zgjedhor pro Trumpit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka uruar Trumpin duke thënë se BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara tashmë më tepër se aleatë.
Ne jemi të lidhur nga një partneritet i vërtetë mes popujve tanë, duke i bashkuar 800 milionë qytetarë. Le të punojmë së bashku në një partneritet transatlantik që vazhdon të ofrojë për qytetarët tanë. Miliona vende pune dhe miliarda në tregti e investime në secilën anë të Atlantikut varen nga dinamizmi dhe stabiliteti i raporteve tona ekonomike”, është shprehur ajo.
Gjatë Administratës së parë Trump, raportet ekonomike mes BE-së dhe SHBA-së nuk ishin të qëndrueshme, thekson mediumi. Ato priten të jenë po aq të vështira edh gjatë mandatit të ri.
Administrata Trump kishte vendosur taksa për çelikun dhe aluminin e BE-së në vitin 2018, bazuar në pretendimin se produktet e huaja të prodhuara nga aleatët amerikanë “ishin kërcënim për sigurinë kombëtare”. Evropianët dhe aleatët e tjerë kishin reaguar nëpërmjet formës së njëjtë me detyrime për motoçikleta amerikane, gjalpë, kikirikë dhe xhinse.
Ndikimi i rezultatit zgjedhor në SHBA mund të ndihet edhe në Evropë për vitet në vijim, duke përfshirë luftërat në Ukrainë e në Lindjen e Mesme, migracionin dhe ndryshimet klimatike. në letrën e liderëve të Komunitetit Politik Evropian, të nënshkruar nga 50 vende në tërë Evropë thuhej se konfliktet gjeopolitike po e vënë në rrezik paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.
Në samitin e ftuar nga Orban do të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili po kërkon që vendi i tij të ndihmohet me më shumë ndihma, me qëllim që të mbrohet nga agresioni rus.
Në anën tjetër, Trump ishte zotuar se nëse vinte në pushtet, do ta përfundonte luftën brenda 24 orëve.
Donald Tuks, kryeministër i Polonisë, kishte thënë se Evropa duhet të krijojë një rrugë më të pavarur që është më pak e ndjeshme ndaj ndryshimeve përtej Atlantikut.
Disa pretendojnë se e ardhmja e Evropës varet nga zgjedhjet amerikane, ndërsa varet para së gjithash nga ne, me kushtin që Evropa më në fund të rritet dhe të besojë në forcën e saj, ka thënë ai disa ditë para samitit.