Lideri i burgosur opozitar rus, Alexei Navalny, ka hyrë të mërkurën në grevë urie, në shenjë proteste ndaj dështimit të autoriteteve për t’i siguruar trajtim adekuat për dhembjet e theksuara në shpinë dhe këmbë.
Nëpërmjet një deklarate të postuar në Instagram, Navalny është ankuar rreth refuzimit të zyrtarëve të burgut për t’ia siguruar ilaçet e duhura dhe për t’ia lejuar vizitën e mjekut, prapa grilave. Ai ka protestuar gjithashtu kundër kontrolleve njëorëshe të rojave gjatë natës, duke thënë se veprimet përbëjnë torturë të privimit nga gjumi.
44-vjeçari Navalny, i cili është kundërshtari më i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, ishte arrestuar në janar menjëherë pas kthimit të tij nga Gjermania, ku i ishte nënshtruar trajtimit pesëmujor për helmimin me një agjent nervor, për të cilin rast ai ka fajësuar haptas Kremlinin.
Autoritetet ruse i kanë hedhur poshtë vazhdimisht këto akuza.
Helmimi i Navalnyt dhe dënimi i tij kanë tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, të cilat kanë rënë në pikën më të ulët që nga koha e pas Luftës së Ftohtë, kur Moska zyrtare e aneksoi më 2014 Krimenë e Ukrainës, ndërhyri në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016-s, si dhe ndërmori sulme kibernetike.
Edhe
Rusia dërgon Navalnyn në spitalin e burgut
Arrestimi i tij kishte nxitur një valë protestash, në të cilat morën pjesë me dhjetëra e mijëra qytetarë kudo nëpër Rusi. Autoritetet kanë arrestuar më se 11.000 persona, shumica e të cilëve janë gjobitur apo dënuar me burgime dyjavore.
Navalny ka thënë se helmimi i muajit gusht e kishte shtrënguar që të mendonte lidhur me shkaktarin e sëmundjes së tij aktuale. Ai ka shtuar se nuk ka zgjidhje tjetër pos që ta nisë një grevë urie, shkaku se gjendja e tij fizike është dobësuar, dhembjet e shpinës i janë shpërndarë në këmbën e djathtë dhe ka mpirje të këmbës së majtë.
“Çfarë tjetër mund të bëj?”, ka shkruar ai. “Kam nisur grevë urie, duke kërkuar që ata të ma lejojnë vizitën e një mjeku të ftuar, në përputhje me ligjim. Andaj jam i shtrirë këtu, i uritur, por ende me që të dy këmbët”.
Muajin e shkuar, Navalny ishte dënuar me dy vjet e gjysmë burgim për shkeljen e lirisë me kusht, gjatë qëndrimit të tij në Gjermani. Dënimi i fundit është derivat i një dënimi të vitit 2014 për përvetësimin e fundeve, të cilën akuzë Navalny e ka cilësuar si fabrikim, ndërsa Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut si të paligjshme.
Edhe
Navalny në gjendje kritike shëndetësore
Gjatë një video-lidhjeje me Putinin të martën, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë specifikuar nevojën që Rusia ta mbrojë shëndetin e Navalnyt dhe të respektojë të drejtat e njeriut, në përputhje me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ka njoftuar Zyra e presidentit francez.
Ndërkaq më herët, zyrtarët rusë i kanë hedhur poshtë kërkesat e SHBA-së dhe të BE-së për lirimin e Navalnyt, si dhe për ndaljen e shtypjes policore të mbështetësve të tij.