Një grup i mjekëve i kanë kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin, që “të ndalojë së torturuari” kritikun e burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny, i cili ka thënë se e ka kaluar natën e Vitit të Ri “në një qeli ndëshkimi”, për shkak se e kishte larë fytyrën gjysmë ore para kohës kur duhej.
Në një letër të nënshkruar nga 170 përfaqësues të komunitetit mjekësor të Rusisë, të publikuar në ueb sajtin “Meduza” bën thirrje që “t’i jepet fund abuzimit” të Navalnyt, raportoi Guardian të martën.
“Ne nuk mund dhe nuk kemi të drejtë të shikojmë me qetësi shkaktimin e qëllimshëm të dëmtimit të shëndetit të politikanit, Alexei Navalny, që po ndodh në koloninë korrektuese Nr.6, në rajonin Vladimit. Nga pikëpamja mjekësore, është e qartë se Navalny nuk merr ndihmë të mjaftueshme mjekësore dhe mbajtja e tij në ShIZO (qelia e ndëshkimit) po e përkeqëson absolutisht gjendjen e tij shëndetësore. Në një seri postimesh të postuara përmes avokatit të tij dje, Navalny tha se ai u dërgua nga autoritetet ruse të burgut në një qeli izolimi për herë të 10-të që kur filloi të vuante dënimin në burgun e sigurisë maksimale IK-6 në rajonin Vladimir të Rusisë”, thuhet në letrën e mjekëve.
Avokati i Navalny, Vadim Kobzev, ka thënë se ai aktualisht vuante nga ethet, të dridhurat dhe kolla si rezultat i qëndrimit në të njëjtën qeli izolimi si një i burgosur pa emër, me higjienë të dobët dhe simptoma të rënda gripi.