Kujdesi po ofrohet në zonat më të goditura nga mjekët që kanë refuzuar të evakuohen ose kanë nxituar si vullnetarë, duke e vënë veten në rrezik të madh. “Është shumë e vështirë, por njerëzit kanë nevojë për ne. Ne duhet të qëndrojmë dhe të ndihmojmë", tha Butova, neurologë, e cila gjithashtu është administratorja e spitalit në qytetin pranë Kharkivit
Dr. Ilona Butova duket se nuk e ka vendin këtu me veshjen e saj mjekësore ngjyrë livande, të rrudhur, ndërsa kalon nëpër një kornizë dere që varet nga një mur i shembur, në atë që dikur ishte një zyrë administrative e spitalit të saj në Zolochiv.
Asnjë ndërtesë në objektin në qytetin verilindor të Ukrainës pranë kufirit rus nuk i ka shpëtuar goditjes nga predhat e artilerisë.
Që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt, hapësira për të trajtuar pacientët në spital është zvogëluar vazhdimisht për shkak të dëmtimeve. Stafi i saj është zvogëluar në 47 nga 120. Dhe numri i njerëzve që kërkojnë trajtim në qytetin e vogël 18 kilometra larg nga kufiri është shpesh më i lartë tani sesa përpara fillimit të luftimeve.
“Njerëzit kanë nevojë për ne”
Sistemi i kujdesit shëndetësor të Ukrainës luftoi për vite me radhë për shkak të korrupsionit, keqmenaxhimit dhe pandemisë COVID-19. Por lufta vetëm sa i ka përkeqësuar gjërat, me objekte të dëmtuara ose të shkatërruara, staf mjekësor që zhvendoset në vende më të sigurta dhe shumë ilaçe të padisponueshme ose në mungesë. Kujdesi po ofrohet në zonat më të goditura nga mjekët që kanë refuzuar të evakuohen ose kanë nxituar si vullnetarë, duke e vënë veten në rrezik të madh.
“Është shumë e vështirë, por njerëzit kanë nevojë për ne. Ne duhet të qëndrojmë dhe të ndihmojmë", tha Butova, neurologë, e cila gjithashtu është administratorja e spitalit në qytetin pranë Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës. Ajo shtoi se i është dashur të bëjë më shumë me më pak burime.
Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli nivelin e saj më të lartë të emergjencës në Ukrainë një ditë pas pushtimit, duke koordinuar një përpjekje të madhe ndihme atje dhe në vendet fqinje, sistemet mjekësore të të cilave janë gjithashtu nën tendosje.
Rreth 6.4 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera evropiane dhe një numër pak më i lartë janë të zhvendosur brenda vendit, sipas vlerësimeve të KB-së. Kjo paraqet një sfidë të madhe për një sistem të kujdesit shëndetësor të ndërtuar mbi rekomandimet e mjekut të familjes dhe administratat e veçanta rajonale.
Në të gjithë Ukrainën, 900 spitale janë dëmtuar dhe 123 të tjerë janë shkatërruar, tha ministri i Shëndetësisë, Viktor Liashko, duke vënë në dukje: "Ata 123 janë zhdukur dhe ne duhet të gjejmë vende të reja për të ndërtuar zëvendësime".

Pa ilaçe
Përveç kësaj, shumë farmaci dhe ambulanca janë shkatërruar ose janë dëmtuar rëndë dhe të paktën 18 anëtarë të personelit mjekësor civil janë vrarë dhe 59 të tjerë janë plagosur rëndë, tha ai.
"Në zonat e pushtuara, sistemi i referimit është prishur plotësisht", tha Liashko për Associated Press. “Shëndeti dhe jeta e njerëzve janë në rrezik”.
Ekonomia e Kievit u shkatërrua nga konflikti me separatistët e mbështetur nga Moska në Ukrainën lindore që filloi në vitin 2014. Kur ai erdhi në pushtet pesë vjet më vonë, presidenti Volodymyr Zelenskyy trashëgoi një sistem të kujdesit shëndetësor që u minua nga reformat e nisura nën paraardhësin e tij, që i kishin shkatërruar subvencionet qeveritare dhe mbylli shumë spitale të qyteteve të vogla. Gjatë pandemisë, njerëzit në ato komunitete duhej të kërkonin kujdes në qytetet e mëdha, ndonjëherë duke pritur deri në tetë orë për një ambulancë në raste të rënda të COVID-19.
Ndërsa Rusia ka zgjeruar territorin që kontrollon në Ukrainën lindore dhe jugore, furnizimi i barnave në ato zona është zvogëluar, së bashku me personelin mjekësor për t'i administruar ato. Në qytetin jugor të vijës së parë të Mykolaivit, "gjërat kanë qenë shumë të vështira", tha vullnetari Andrii Skorokhod.
“Farmacitë nuk kanë funksionuar dhe mungesat janë bërë gjithnjë e më të mprehta: personeli i spitalit ishte mes të evakuuarve, përfshirë specialistë. Ne kemi nevojë vetëm për më shumë staf", tha Skorokhod, i cili kryeson një nismë të Kryqit të Kuq për t'u siguruar banorëve medikamente falas.
Vullnetarët
Vullnetarët si Skorokhod shpëtuan jetën e 79-vjeçares Vanda Banderovska, shtëpia e së cilës pranë Mykolaivit u shkatërrua nga artileria ruse. Djali i saj 53 vjeçar, Roman, u vra dhe ajo u dërgua në spital e mavijosur keq dhe pothuajse pa ndjenja.
“Djali im doli në makinë për të marrë celularin kur rusët filluan të bombardojnë. Ai u godit në kokë”, tha ajo në një repart shërimi, me zërin që i dridhej nga emocioni. "Ata kanë shkatërruar gjithçka dhe mua nuk më ka mbetur asgjë".
Banderovska tha se ishte thellësisht mirënjohëse për njerëzit që i shpëtuan jetën, por edhe e pushtuar nga pikëllimi dhe zemërimi.
“Dhimbja që ndiej është shumë e madhe. Kur mjekët më çuan në spital, isha e mavijosur, zi dhe kaltër, por ngadalë u shërova”, tha ajo.