Botë

Mijëra persona kanë mbetur pa energji elektrike në Zelandën e Re nga cikloni Gabrielle

Rreth 46.000 shtëpi kanë humbur energjinë pasi cikloni Gabrielle ka goditur veriun e Zelandës së Re.

Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për shi të dendur dhe erëra dhe qindra fluturime janë anuluar.

Disa zona kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, pasi Gabrielle po i afrohet ishullit të veriut, shkruan BBC.

Ai vjen disa javë pasi Auckland dhe zonat përreth u goditën nga reshjet rekord që shkaktuan përmbytje dhe vranë katër njerëz.

“Gjërat ka të ngjarë të përkeqësohen përpara se të përmirësohen”, ka thënë kryeministri i Zelandës së Re, Chirs Hipkins, i cili njoftoi se do të ketë një ndihmë prej 11.5 milionë dollarësh.

Ministri i menaxhimit të urgjencës Kieran McAnulty tha në një konferencë për media të hënën se qeveria po shqyrton shpalljen e një gjendjeje të jashtëzakonshme kombëtare për vetëm të tretën herë në historinë e vendit.

Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur tashmë në pesë rajone veriore, përfshirë Auckland. Deklarata u jep autoriteteve lokale fuqi më të madhe për t'iu përgjigjur situatave të rrezikshme dhe u lejon atyre të kufizojnë udhëtimet dhe të ofrojnë ndihmë.

McAnulty shtoi se e hëna do të jetë një “ditë kritike” për shkak të kombinimit “shumë të rrezikshëm” të erërave të forta dhe shiut të dendur. Erërat me shpejtësi deri në 140 km/h (87 mph) goditën rajonin e Northland, ndërsa Ura e Auckland Harbour u trondit nga rreh 110 km/h.

Ai paralajmëroi se mund të duhen ditë për të rivendosur rrjetin elektrik pasi moti i keq e bëri “të pasigurt” punën në rrjet.