Zelanda e Re ka thënë se rindërtimi pas ciklonit Gabrielle do të kushtojë miliarda dollarë, në të njëjtin nivel me tërmetin në Christchurch të 12 vjetëve më parë.
Gabrielle solli përmbytje në ishullin e veriut në mes të shkurtit, duke dëmtuar rrugët dhe urat.
Të paktën 11 persona kanë vdekur deri më tani dhe mijëra janë ende të pa kontaktuar, shkruan BBC.
“Do të jetë ngjarja më e madhe e motit këtë shekull, me një çmim prej një miliardë dollarësh”, tha Ministri i Financave Grant Robertson.
Robertson i tha TVNZ gjatë fundjavës se qeveria së pari do të merrej me nevojat më urgjente të të mbijetuarve - ushqim, strehim, energji elektrike dhe komunikim.
“Ne kemi një rrugë të gjatë përpara nesh për të rindërtuar pas kësaj fatkeqësie, por ne kemi burimet për ta bërë atë dhe ne kemi vullnetin për ta bërë atë," tha zoti Robertson.
Fermerët humbën të korrat dhe tufat e tëra për shkak të përmbytjeve dhe autoritetet ende po përcaktojnë se sa do të mbulohet dëmi nga sigurimet, tha ministri, i cili është përgjegjës për përpjekjet e rindërtimit.
Të hënën, kryeministri Chris Hipkins njoftoi një shtesë prej 250 milion dollarësh për të rregulluar rrugët e dëmtuara dhe një paketë mbështetjeje prej 50 milion dollarëshpër të ofruar lehtësim të menjëhershëm për bizneset.
Zelanda e Re shpenzoi 13 miliardë dollarë për t’u rindërtuar nga tërmeti i fuqishëm në ishullin jugor në vitin 2011, që rrafshoi pjesën më të madhe të qendrës së qytetit Christchurch dhe la 185 njerëz të vdekur dhe mijëra të pastrehë.