Botë

Maria Corina Machado e fiton "Nobelin" për paqe

nobel

Çmimin Nobel për Paqe sivjet e ka fituar liderja opozitare më me ndikim në Venezuelë, Maria Corina Machado, për angazhimin e saj në “promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës”.

Kryetari i Komitetit norvegjez të Nobelit, Jorgen Watne Frydnes, e ka përshkruar Machadon si “kampione të guximshme dhe të përkushtuar të paqes” e cila “mban flakën e demokracisë ndezur përgjatë një errësire në rritje”. 

Në deklaratën e komitetit thuhet se Machado nderohet për vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar “për të arritur një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci”.

Machado qëndron fshehur në Venezuelë pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, të cilat u konsideruan gjerësisht si të vjedhura nga ushëheqësi në detyrë, presidenti Nicolas Maduro. Pavarësisht kërcënimeve serioze për jetën e saj, ajo ka qëndruar në shtetin e saj, një zgjedhje që ka inspiruar miliona. 

Frydnes është pyetur lidhur me lobimin e presidentit amerikan, Donald Trump, se ai duhej ta fitonte “Nobelin” këtë vit. Frydnes është përgjigjur se komiteti merr mijëra letra çdo vit dhe merr vendimin e tij në një sallë “të mbushur me guxim dhe integritet”.