Botë

Macron: Përpjekja izraelite për të aneksuar Bregun Perëndimor do të ishte vija e kuqe për SHBA-në

Emmanuel Macron dhe Donald Trump

Foto: Associated Press

Çdo përpjekje e Izraelit për të aneksuar pjesë të Bregut Perëndimor do të ishte një vijë e kuqe për SHBA-në - dhe do të përfaqësonte fundin e normalizimit diplomatik arabo-izraelit, ka thënë presidenti francez, Emmanuel Macron të mërkurën, duke pretenduar se i ishte dhënë kjo siguri nga Donald Trump.

Macroni ka zbuluar gjithashtu se i kishte paraqitur udhëheqësit të SHBA-së një plan trefaqësh mbi të ardhmen e Palestinës, bazuar në Deklaratën e Nju Jorkut, dokumentin e miratuar nga më shumë se 143 shtete që propozon përjashtimin e Hamasit nga sundimi i ardhshëm në Gazë dhe Bregun Perëndimor.

Duke folur në France 24, Macroni ka thënë se qëllimi i takimit të tij me Trumpin të martën ka qenë që Amerika, Evropa dhe shtetet arabe të ishin në të njëjtën linjë.

I pyetur në lidhje me planet izraelite për të zgjeruar vendbanimet në Bregun Perëndimor - duke përfshirë korridorin E1 që do të përfshinte ndërtimin e 3,400 shtëpive të reja, ai ka thënë "Për këtë temë, në terma shumë të qartë evropianët dhe amerikanët janë në të njëjtën linjë."

Zyrtarët britanikë kanë shprehur shqetësime se Donald Trumpi mund të njohë sovranitetin izraelit mbi vendbanimet e paligjshme në Bregun Perëndimor në hakmarrje për vendimin e Mbretërisë së Bashkuar, Australisë, Francës dhe të tjerëve për të njohur Palestinën. Një veprim i tillë do të ishte një goditje serioze për çdo zgjidhje me dy shtete.

Por Macroni ka thënë se çdo përpjekje për të aneksuar Bregun Perëndimor "do të ishte fundi i marrëveshjeve të Abrahamit, të cilat ishin një nga historitë e suksesit nga administrata e parë e Trumpit”. 

"Mendoj se është një vijë e kuqe për SHBA-në”, ka shtuar Macroni.

Nënshkrimi i marrëveshjeve të Abrahamit të vitit 2020, të cilat normalizuan marrëdhëniet midis Izraelit dhe një grupi shtetesh arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, vlerësohet nga Trumpi si një nga arritjet diplomatike kurorëzuese të mandatit të tij të parë në detyrë.