Plani i paqes i presidentit amerikan Donald Trump ka nevojë për përmirësime që të bëhet i pranueshëm për Ukrainën dhe Evropën, ka thënë të martën presidenti francez, Emmanuel Macron për radion RTL.
"Është iniciativë që shkon në drejtimin e duhur: drejt paqes. Megjithatë, ka aspekte të atij plani që meritojnë të diskutohen, negociohen, përmirësohen. Ne duam paqe, por nuk duam paqe që në fakt është kapitullim”, ka thënë Macroni.
Ai shtoi se vetëm ukrainasit mund të vendosin se çfarë lëshimesh territoriale janë të gatshëm të bëjnë.
"Ajo që u vu në tryezë na jep një ide se çfarë do të ishte e pranueshme për rusët. A do të thotë kjo se kjo është ajo që duhet të pranohet nga ukrainasit dhe evropianët? Përgjigja është jo", shtoi Macroni.
Ai më tej është shprehur se asetet e ngrira ruse janë në Evropë dhe vetëm Evropa mund të vendosë se çfarë të bëjë me to.
Plani amerikan do të vendoste një kufizim në madhësinë e ushtrisë së Ukrainës dhe do t'i jepte Uashingtonit një lloj kontrolli mbi asetet e ngrira ruse.