Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ligji kundërthënës për media lëkund themelet e Qeverisë polake

Rezultati i votimit është larg të qenët i qartë, meqë kryeministri Mateusz Morawiecki e shkarkoi të martën zëvendësin e tij, Jarosław Gowin, lider i partisë partnere të koalicionit “Marrëveshja”, shkaku se e kritikoi ligjin, duke e nxitur largimin përfundimtar të partisë nga koalicioni

E ardhmja e koalicionit trepartiak që qeveris Poloninë është vënë në dyshim të mërkurën, teksa Parlamenti pritet të votojë rreth ligjit kundërthënës mbi pronësinë e mediave, i cili mund ta çojë stacionin e fundit të pavarur televiziv në vend drejt humbjes së licencës së transmetimit.

Pas një nate me protesta në Varshavë dhe 90 qytete të tjera kundër ligjit të cilin kundërshtarët e shohin si përpjekje për heshtjen e transmetuesve kritikë, Qeveria ka bërë të ditur se është e bindur se do të ngadhënjejë në votim. Por, rezultati, sipas raportimit të së përditshmes britanike “Guardian”, është larg të qenët i qartë, meqë kryeministri Mateusz Morawiecki e shkarkoi të martën zëvendësin e tij, Jarosław Gowin, lider i partisë partnere të koalicionit “Marrëveshja”, shkaku se e kritikoi ligjin, duke e nxitur largimin përfundimtar të partisë nga koalicioni.

“Llogaris në faktin se çështjet e ndërlidhura me ligjin për media do të fitojnë shumicën në Parlament dhe jam i sigurt se Qeveria e ‘së Djathtës së Bashkuar’ do ta vazhdojë funksionimin”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Piotr Müller, raporton Guardian.

Trembëdhjetë deputetët që e përfaqësojnë partinë “Marrëveshja” në Dhomën e Ulët 460-anëtareshe të Parlamentit ka pasur përplasje përherë më të thella me koalicionin “E djathta e Bashkuar, partinë populiste në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS), ndërsa largimi i tyre e privon Qeverinë nga shumica e saj prej një vote.

“Porse nuk e nënkupton automatikisht rënien e qeverisë së PiS, e cila mund të kërkojë një mocion formal votëbesimi në Parlament”, ka shkruar Guardian.

Vëzhguesit kanë folur për të përditshmen britanike kanë thënë se PiS do të përpiqet t’i bindë individualisht deputetët e “Marrëveshjes” për t’i shkelur linjat partiake dhe për të përfituar numër të mjaftueshëm deputetësh të pavarur për ta gjeneruar shumicën. Mediat polake kanë raportuar se veprimet e tilla veçse janë të mundshme, teksa disa të tjera kanë shkruar se për qëllim janë bërë oferta të majme.

Edhe Opinion 1 muaj më parë Pse kryeministri po i tall influencerat?

Po qe se miratohet, ligji për transmetime do t’ia ndalonte çfarëdo stacioni televiziv që të jetë në pronësi të kompanive jashtë Zonës Ekonomike Evropiane. Që nga fillimi i debatit për çështjen muaj më parë, Qeveria në Varshavë ka mohuar se masa ka në shënjestër ndonjë transmetues specifik, duke bërë të ditur se kësisoj synon ta shmangë zaptimin potencial të mediave nga vendet joanëtare të Bashkimit Evropian – si Rusia dhe Kina.

Mirëpo veprimi përkon me nismën e vazhdueshme të Qeverisë për t’i kontrolluar mediat në Poloni, duke i shndërruar ato në organe propaganduese për partinë në pushtet.

Vendet perëndimore, në krye me Shtetet e Bashkimit Evropian si dhe BE-në, kanë nxitur Varshavën që ta rimendojë masën, duke potencuar se ligji i propozuar do t’i dëmtonte pashmangshëm “marrëdhëniet në rrafshin e mbrojtjes, biznesit dhe tregtisë” midis Polonisë dhe SHBA-së.