Liderët botërorë kanë mirëpritur marrëveshjen për fazën e parë të planit të presidentit amerikan për Gazën.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar se BE-ja do ta vazhdojë mbështetjen për “dërgimin e sigurt të ndihmave humanitare në Gazë”, dhe se kur të është koha edhe për rindërtimin.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, është shprehur se Franca është e gatshme të kontribuojë në zgjidhjen e çështjes mbi shtetit palestinez.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë se është moment lehtësimi që do të ndihet në të gjithë botën, teksa bëri thirrje për zbatim të plotë nga palët.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbushin angazhimet që kanë marrë, t’i japin fund luftës dhe të ndërtojnë themelet për një fund të drejtë dhe të qëndrueshëm të konfliktit dhe një rrugë të qëndrueshme drejt paqes afatgjatë”, ka thënë ai.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e quajti marrëveshjen “lajm të jashtëzakonshëm” duke theksuar se mundësia për t’i dhënë fund konfliktit duhet të kapet menjëherë. Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, shtoi se Italia është e gatshëm të dërgojë trupa nëse nevojiten forca paqeruajtëse.
Kryeministri holandez, Dick Schoof, shkroi se marrëveshja “duhet të jetë një hap drejt paqes së qëndrueshme”.
Australia gjithashtu e mirëpriti atë.
“Australia mbështet fuqishëm angazhimin e planit për t’ia njohur Hamasit çdo rol në qeverisjen e ardhshme të Gazës. Së bashku me partnerët tanë, Australia do të vazhdojë të kontribuojë për një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme me dy shtete”, ka thënë kryeministri Anthony Albanese.
Zyra kanadeze që merret me marrëdhëniet diplomatike të vendit, “Global Affairs Canada”, ka shkruar se Kanadaja e mirëpret marrëveshjen po ashtu.
“Kanadaja do të mbështesë çdo përpjekje për ta kthyer këtë hap pozitiv në paqe të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezë”, shkroi ajo zyrë.
E, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje që të respektohen kushtet e marrëveshjes.
“Kombet e Bashkuara do të mbështesin zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe do të rrisin dërgimin e ndihmave humanitare të qëndrueshme e me parime, si dhe do të avancojnë përpjekjet për rimëkëmbje dhe rindërtim në Gazë”.
“U bëj thirrje të gjithë aktorëve të përfitojnë nga kjo mundësi historike për të vendosur një rrugë të besueshme politike drejt përfundimit të okupimit, njohjes të së drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje dhe arritjes së një zgjidhjeje me dy shtete që u mundëson izraelitëve dhe palestinezëve të jetojnë në paqe dhe siguri”, tha më tej Guterres.
