Botë

Lavrov: Rusia shpreson të vazhdojë diskutimet e dobishme gjatë samitit në Alaskë

l

Kryediplomati rus, Sergei Lavrov, ka thënë të premten se vizita e të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në Moskë javën e kaluar, ka qenë vendimtare dhe se është arritur shumë gjatë takimit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ai ka deklaruar më tutje se pala ruse shpreson që të vazhdojë “diskutimet e dobishme” edhe gjatë samitit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë në Alaskë të premten (sot), ka shkruar Reuters.

Në këtë samit historik, presidenti amerikan, Donald Trump, do të takohet me homologun rus, Vladimir Putin, për të diskutuar rreth mbarimit të luftës në Ukrainë. 

Takimi do të mbahet pa prezencën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe liderëve të tjerë evropianë, ndonëse Trumpi ka theksuar disa ditë më parë se një takim i dytë, ku do të përfshihen Putini dhe Zelensky është i mundur.

Presidenti amerikan kishte kërcënuar po ashtu Rusinë se do të ballafaqohet me “pasoja shumë të rënda”, në rast se Putini nuk e pranon marrëveshjen e paqes në Ukrainë, pas samitit mes tyre.

E shefi i Kremlinit, nga ana tjetër, i ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa u përket “përpjekjeve të tyre të sinqerta” për t’i dhënë fund luftës që tashmë ka hyrë në vitin e saj të katërt.

“Administrata aktuale amerikane... po bën, sipas mendimit tim, përpjekje mjaft të sinqerta për të ndaluar armiqësitë, për të ndaluar krizën dhe për të arritur marrëveshje që janë me interes për të gjitha palët e përfshira në këtë konflikt”, ka thënë Putin.

Samiti do të fillojë në orën 11:30 (sipas kohës lokale në Alaska) dhe kohëzgjatja e bisedimeve do të varet nga agjenda e planifikuar.

Të dy burrështetasit pritet gjithashtu që të japin një konferencë të përbashkët për shtyp në fund të samitit.

Delegacioni rus do të përfshijë Lavrovin, ministrin e Mbrojtjes Andrey Belousov, ministrin e Financave Anton Siluanov, kreun e fondit sovran rus, Kirill Dmitriev dhe ish-ambasadorin e Rusisë në SHBA, Yuri Ushakov.

Veshja e Lavrovit në Alaska shpërfaq nostalgjinë për epokën sovjetike

1 o. më parë / 15 gus 2025 12:30
l

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është parë veshur me një bluzë me mbishkrimin “CCCP” - shkurtesa në rusisht për Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike - gjatë mbërritjes së tij në Alaskë, ka raportuar Politico.

Ai do të jetë pjesë e delegacionit të Kremlinit, kur presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti amerikan Donald Trump të takohen më vonë të premten, në samitin e shumëpritur mes tyre për të diskutuar rreth luftës në Ukrainë.

Bluza e bardhë e Lavrovit ishte pjesërisht e fshehur nën një jelek të zi, me vetëm shkronjat e mesit “CC” që duken qartë në videon e postuar në rrjetin X.

Sipas ekspertëve, regjimi aktual në Rusi e ka shfrytëzuar vazhdimisht nostalgjinë për Bashkimin Sovjetik si mënyrë për të realizuar qëllimet e tij politike dhe imperialiste, përderisa Putini e pati cilësuar shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe politike” të shekullit të 20-të gjatë një fjalimi në vitin 2005.

Dëshira e Moskës për të rikthyer lavdinë e së kaluarës është lidhur shpeshherë edhe me luftën në Ukrainë që nisi në shkurt të vitit 2022, të cilën Trumpi shpreson ta përfundojë në samitin që do të mbahet të premten në Alaska.

VIDEO: