Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar të enjten rezolutën për Srebrenicën, me 55 vota për, 19 kundër dhe shtatë abstenime.
Në këtë rezolutë ceket se Kuvendi i Malit të Zi e dënon ashpër gjenocidin e kryer në Srebrenicë, vërteton se gjenocidi ka ndodhur “në tokën e Evropës”, pas Luftës së Dytë Botërore, në të cilin kanë vdekur më shumë se 8.000 civilë boshnjak. Për më tepër, ajo e ndalon mohimin e hapur apo minimizimin e gjenocidit në Srebrenicë, teksa e shpallë 11 korrikun si Ditë të përkujtimit për viktimat e saj.
Me të konfirmohet gjithashtu përkushtimi i vendit anëtar të NATO-s për afirmimin e vlerave të paqes dhe stabilitetit, ndërsa u bëhet thirrje institucioneve përkatëse që të hetojnë dhe përndjekin penalisht të akuzuarit për gjenocidin në Srebrenicë, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Rezoluta njëherësh shpreh ngushëllime për të gjitha viktimat e luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë, si dhe u bën thirrje vendeve anëtare që ta vazhdojnë betejën për garantimin e drejtësisë dhe mbështetjes afatgjate për të mbijetuarit.
Gjatë votimit të Rezolutës në sallën e Kuvendit janë kthyer deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), të cilët kësisoj i dhanë fund bojkotimit të Kuvendit.
Në justifikimin e amendamenteve, Simonida Korodiq nga Fronti Demokratik (FD), ka thënë se anojnë kah dënimi i të gjitha krimeve të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë.
“Motivi për amendamentet është vendosja e një norme themelore kushtetuese, e cila thotë se të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit dhe që ne të mos vihemi në një situatë të adoptimit të çfarëdo neni që bie ndesh me Kushtetutën, dhe e bën rangimin midis viktimave dhe kriminelëve”, ka thënë Kordiq.