Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar të enjten me asnjë votë kundër projekt-rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë.
Në votim kanë marrë pjesë 113 deputetë, të cilët kanë votuar të gjithë pro rezolutës për të nderuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë të kryer nga forcat serbe gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë.
Draft-rezoluta e propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste në pushtet, në Shqipëri, u bazua në rezolutat e Parlamentit Evropian dhe vlerësimet e Komisionit Evropian mbi gjenocidin në Srebrenicë, akte këto që dënojnë mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e autorëve dhe mbështetësve të tij.
Krahas dënimit të mohimit të gjenocidit në Srebrenicës, rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, po ashtu, synon të dënojë retorikën politike që nxit urrejtjen ndëretnike duke mohuar gjenocidin në Srebrenicë dhe krimet e tjera të luftës të kryera në luftërat e ish-Jugosllavisë.
“Besojmë që këto krime duhen dënuar, sepse viktimat meritojnë drejtësi. Besojmë që këto krime duhen dënuar - duke mos i dënuar rrezikojmë përsëritjen e tyre në të ardhmen”, deklaroi ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, derisa prezantoi draft-rezolutën në Kuvend.
Edhe
Kuvendi i Shqipërisë shqyrton draft-rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë
“Besojmë edhe që duhet dënuar sepse nëse nuk dënohen, rajoni ku ne bëjmë pjesë nuk do të njohë kurrë harmoni e bashkëpunim”, shtoi ajo.
Nisma e së enjtes është një përpjekje për ta amortizuar përplasjen politike që erdhi si rezultat i këtij diskutimi muaj më parë.
Më 12 maj Kuvendi i Shqipërisë dështoi ta shqyrtojë një rezolutë të propozuar nga deputetët e Partisë Demokratike, me të cilën dënohej gjenocidi në Srebrenicë.
Atëbotë, deputetët e Partisë Socialiste kishin votuar kundër shqyrtimit të rezolutës së propozuar nga deputetët e PD-së dhe i kishin akuzuar ata për instrumentalizim të kësaj çështjeje për politikë të brendshme. Ndërkohë, udhëheqësit e Partisë Demokratike e kishin akuzuar Partinë Socialiste në pushtet për qasje tejet miqësore me Serbinë si arsye për refuzimin e rezolutës që dënonte gjenocidin në Srebrenicë të kryer nga forcat serbe.
Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-kryetari i saj, Lulzim Basha, u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë ta përkrahin draft-rezolutën dhe kërkoi që ajo t’i hapë rrugë dënimit të krimeve të forcave serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Edhe
Qe dy vjet Kuvendi i Shqipërisë s’e fut në agjendë draftrezolutën për gjenocidin në Kosovë
“Që Serbia të integrohet plotësisht në rajon, duhet ta kushtëzojmë me kërkesën e faljes, me pranimin e krimeve, prandaj që e shkuara të mos harrohet, e që të mos lejojmë që faktet alternative të kurdisura nga propaganda hileqare dhe mohuese, të ndryshojnë historinë sipas orekseve politike apo konjukturave ndërkombëtare të momentit”, tha Basha.
“Çdo qëndrim tjetër ndaj Serbisë e inkurajon kryeneçësinë e drejtuesve të saj në përpjekje të hapura dhe të fshehura për rishikimin e shëmtuar e të dënueshëm që po shfaqin karshi krimeve të së kaluarës”, shtoi ai.
Gjenocidi në Srebrenicë i referohet vrasjes së 8,372 burrave dhe djemve civilë boshnjakë nga forcat serbe gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë në vitin 1995.
Kjo masakër është dënuar si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi në vitin 2004 dhe është konfirmuar si e tillë më 2007 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Edhe
Kuvendi i Shqipërisë rrëzon kërkesën e PD-së për rezolutë për gjenocidin në Kosovë
Por, udhëheqësit e Serbisë, përfshirë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë njësoj sikur liderët serbë të Bosnjë-Herzegovinës.
Debatet rreth rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë zhvillohen në një kohë kur Shqipëria synon rol më aktiv në rajon, përfshirë një riformulim të marrëdhënieve me Serbinë përmes iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur,” ide e cila është përkrahur nga Serbia, por është refuzuar nga Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, të cilat konsiderojnë se kanë probleme të pazgjidhura me Serbinë. /Rel