Udhëheqësi i Kubës, Miguel Diaz - Canel ka kundërshtuar kërkesën e Donald Trumpit që vendi karaib “të bëjë një marrëveshje” me Uashingtonin nëse dëshiron që të marrë naftë në Venezuela.
Presidenti amerikan ka paralajmëruar se Havana do të shkëputet nga nafta dhe paratë venezueliane, te të cilat është mbështetur për dekada me radhë.
“Askush nuk na dikton se çfarë të bëjmë”, ka thënë të dielën në X presidenti kuban Miguel Diaz-Canel, duke iu përgjigjur këmbënguljes së Trumpit që vendi komunist të bëjë një marrëveshje “para se të jetë tepër vonë”.
Kuba ka marrë prej kohësh paketa të mëdha ndihme nga Venezuela e pasur me naftë, por kapja e udhëheqësit venezuelian NicolAs Maduro gjatë një operacioni amerikan, si dhe njoftimi i Trumpit se Venezuela do t’i dorëzojë SHBA-së 30 deri në 50 milionë fuçi naftë, pritet ta lërë Havanën përballë një sfide të madhe ekonomike.
“Kuba ka jetuar, për shumë vite, me sasi të mëdha nafte dhe parash nga Venezuela. Në këmbim, Kuba ofroi ‘Shërbime Sigurie’ për dy diktatorët e fundit venezuelianë, por jo më!” ka shkruar Trumpi të dielën në Truth Social.
“Nuk do të ketë më naftë apo para që shkojnë në Kubë – Zero”, ka thënë ai përpara se të kërkonte një marrëveshje.
Trumpi nuk ka sqaruar se çfarë mund të përfshinte një marrëveshje për Havanën.
Qeveria kubane ka deklaruar se 32 shtetas të saj u vranë “në veprime luftarake” gjatë operacionit amerikan për kapjen e Maduros.