Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Krejt çfarë po ndodh në Siri

KS i OKB-së nuk e miraton Rezolutën ruse për Sirinë

19:48 - Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka dështuar të miratojë një rezolutë të hartuar nga Rusia të shtunën që do të dënonte “agresionin kundër Republikës Arabe të Sirisë nga SHBA-ja dhe aleatët e saj në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së”, raporton Reuters.

Vetëm Rusia, Kina dhe Bolivia votuan pro këtij drafti. Tetë vende votuan kundër draftit ndërsa pesë abstenuan, transmeton Koha.net.

Rezoluta, për t’u miratuar, duhet t’i ketë nëntë vota pro dhe asnjë veto nga Rusia, Kina, Franca, Britania apo SHBA-ja.


Sirianët në Damask, me emocione të përziera pas sulmeve

19:07 - Damasku ishte një ndër vendet që u sulmuan nga raketat amerikane, franceze dhe britanike, në kuadër të ofensivës ajrore kundër armëve kimike.

Banorët në kryeqytetin sirian kanë emocione të përziera për ngjarjet e fundit.

“Populli sirian nuk frikësohet. Pas shtatë vjetëve të luftës, ne kemi përjetuar qindra raste të tilla. Ne vazhduan normalitetin e jetës pas sulmeve”, tha një qytetar i Damaskut, raporton KTV.

E, në një lagje të Damaskut, qindra mbështetës të Bashar al-Assadit kanë protestuar kundër sulmeve.

Ndërkohë, kanë vazhduar reagimet për këtë ndërhyrje në Siri.

Rusia ka intensifikuar kërcënimet, dhe së bashku më Iranin e Kinën, janë shtetet më të zëshme që kundërshtojnë këtë operacioni ushtarak.

Pentagoni, në anën tjetër, e konfirmoi se sulmi ndaj regjimit sirian të Assadit, ishte dyfishi i sulmit të kaluar dhe më i fuqishëm.

Ndërkohë, Kreu i Partisë Laburiste në Britani, Jeremy Corbyn, ka thënë se nuk kishte bazë ligjore për sulmet britanike kundër Sirisë dhe një veprim i tillë do të inkurajonte të tjerët të silleshin në të njëjtën mënyrë.

Ai tha se parlamenti duhet të konsultohej përpara se Theresa May të urdhëronte avionët britanikë të bashkohen me sulme të koordinuara kundër Sirisë, në përgjigje të një sulmit kimik.


Përmbledhje e KTV-së për ndërhyrjen ushtarake në Siri

19:06 - Donald Trump përsëri u ka dalë në ndihmë sirianëve të pafajshëm.

Së bashku me Britaninë dhe Francën, Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore në disa baza ku mendohet se prodhohen armë kimike, raporton KTV.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se ka urdhëruar nisjen e sulmeve ajrore në Siri kundër regjimit të diktatorit Bashar Al-Assad.

“Qëllimi i këtyre sulmeve është që të ndalohet prodhimi dhe përdorimi i armëve kimike. Ky është interes vital për sigurinë e SHBA-së. Jemi të gatshëm të sulmojmë

derisa regjimi sirian të ndalojë së përdoruri këto armë”, ka thënë Trump.

Trumpi ka shtuar se ka urdhëruar sulm ajror me goditje precize, për të mos i dëmtuar qytetarët sirianë.

Sipas raportimeve, një qendër kërkimesh në Damask, një depo e armëve kimike dhe një qendër komande në Homs, janë goditur nga sulmi që zgjati për rreth një orë.

Kjo ndërhyrje që ndodh vetëm disa ditë pasi SHBA-ja e akuzoi Sirinë për përdorim të armëve kimike në qytetin Duma, është mirëpritur nga faktori ndërkombëtar.

Turqia dhe Kanadaja ishin të parat që e vlerësuan ndërhyrjen e miratuar nga treshja Trump-Macron-May.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mbështetur aksionin ushtarak në Siri.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Rusisë.

Sipas Putinit, sulmet ajrore nuk do të kalojnë pa pasoja dhe ato u bënë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Seria e sulmeve është goditja më e madhe e fuqive perëndimore ndaj Bashar al Assadit në 7 vjet të luftës civile.


Haley: SHBA do të vazhdojë presionin nëse Siria teston gatishmërinë tonë

18:16 - Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u ka bërë thirrje të gjitha shteteve të “tregojnë durim në këto situatë të rrezikshme dhe të mënjanojnë ndonjë akt që mund të përshkallëzojë apo përkeqësojë vuajtjen e popullit sirian”.

Me këtë rast ai i është referuar situatës pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës në tri baza qeveritare të Sirisë, raporton REL.

Ai ka thënë se hetuesit ndërkombëtarë kanë qenë në Siri dhe të gatshëm për të vizituar vendin e sulmit të dyshuar me armë kimike në Duma.

Ambasadori rus në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzya, ka thënë se sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj ka qenë “akt i agresionit” kundër shtetit sovran.

Ai ka thënë se veprimi i këtyre shteteve ka demonstruar një shpërfillje të ligjit ndërkombëtar.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka thënë se sulmet janë planifikuar me kujdes për të minimizuar viktimat civile.

Ajo ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të ndjekin secilin vend që mund të përdorë apo ndihmon në përdorimin e armëve kimike.

Haley ka përsëritur se presidenti Trump ka deklaruar që nëse Siria përdor sërish gaz helmues, SHBA-ja është e gatshme për të reaguar.

“Ne jemi të bindur se kemi paralizuar programin e armëve kimike të Sirisë. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë këtë presion, nëse regjimi sirian është aq i pamend sa të testojë gadishmërinë tonë”, ka thënë ajo.


Aleatët i zbulojnë blofin Rusisë, Trumpi thotë se misioni u krye

17:30 - Presidenti amerikan Donald Trump përshëndeti “ekzekutimin perfekt” të sulmeve ajrore ndaj Sirisë, ndërsa shtoi në mesazhin e tij në “Twitter” se misioni u krye.

SHBA, Franca dhe Britania e Madhe bombarduan tre impiante të programit të armëve kimike siriane si masë ndëshkuese ndaj sulmit të dyshuar me armë kimike ndaj qyteti sirian Duma javën e shkuar.

“Faleminderit Francës dhe Britanisë për urtësinë dhe fuqinë e ushtrive të tyre të shkëlqyera. S’mund të kishim pasur rezultatet më të mira. Misioni u krye”, tha Trump, shkruan Tch.

Ekspertët thonë se mesazhi i Trumpit duket se i jep fund dyshimeve nëse do të ketë sulme të tjera, të paktën derisa presidenti sirian Bashar al Asadi të vendosë të shkelë sërish vijnë e kuqe. Zyrtarë nga Pentagoni lajmëruan se furia e raketave aleate çoi vite pas programin sirian të armëve kimike.

Pavarësisht se forca e sulmit është vënë në diskutim, fitorja politike duket mjaft e qartë. Presidenti rus Vladimir Putin e kritikoi ashpër sulmin perëndimor dhe tha se ishte një akt i pastër agresioni. Por megjithë kërcënimet se do të rrëzonte raketat amerikane, ushtria ruse nuk ngriti as gishtin për të frenuar sulmin dhe çdo raketë e aleatëve goditi objektivin.

Madje, as ushtria siriane, duke parë zbulimin e blofit rus, nuk tentoi të ndalte sulmin e tre fuqive të mëdha, megjithëse televizionet shtetërore në vend thanë se 70 raketa u rrëzuan. Sulmi aleat padyshim që nuk i jep fund luftës së gjatë e të përgjakshme civile në Siri, por të paktën dërgon një mesazh se mbase perëndimi do të angazhohet disi më shumë për këtë qëllim.


Pentagoni mesazh të qartë regjimit sirian

15:55 - Gjenerali Kenneth McKenzie, drejtor i Shtabit të Përbashkët, ka thënë se sulmet e mbrëmshme në Siri nga SHBA-ja dhe aleatët e saj “ishin shfaqje e fuqishme nga bashkimi i aleatëve”.

“Kemi vendosur 105 armë kundër tre objektivave në Siri, që do të ndikojnë ndjeshëm në regjimin sirian dhe në përdorimin e armëve kimike në të ardhmen. Është thënë edhe më parë, por dëshiroj ta theksoj përsëri që me mëshirë, ky sulm ishte dyfishi i sulmit të prillit të vitit 2017”, raporton CNN, transmeton Koha.net.

Pentagoni bënë të qartë se ky sulm ndaj regjimit sirian të Assadit, ishte dyfishi i sulmit të kaluar dhe më i fuqishëm.


Trump: Misioni u përmbush

15:54 - Presidenti amerikan Donald Trump, ka përshëndetur sulmet që u kryen mbi Siri gjatë mbrëmjes së djeshme, nga vetë SHBA-ja, me Francën dhe Britaninë e Madhe.

Trump, e ka cilësuar këtë si ‘triumf’.

“Një sulm i përkryer mbrëmë. Faleminderit Francës dhe Britanisë së Madhe për urtësinë dhe fuqinë e ushtrisë së tyre të shkëlqyer. Nuk mund të kishte rezultat më të mirë. Misioni u përmbush”, ka shkruar Trump në Twitter, transmeton Koha.net.

Më herët, po ashtu në Twitter, Trumpi e vlerësoi ushtrinë amerikane si më të mirën që SHBA-ja e ka pasur ndonjëherë.


Franca mban opsion rikthimin e sulmeve, nëse Siria kalon “vijat e kuqe”

14:45 - Për Francën, ndërmarrja e veprimeve të reja ushtarake në Siri mbetet opsion, në rast se kalohen vijat e kuqe. Kështu është shprehur të shtunën ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian.

Në një intervistë për CNN-in, Le Drian tha se nuk kishte asnjë dyshim se kishte ndodhur sulm kimik dhe se gjithsesi ishte përdorur klori, në Douma.

Le Drian tha se objektivat e sulmeve në Siri janë përmbushur, derisa shtoi se një pjesë e madhe e arsenalit kimik të Sirisë është shkatërruar.

Të gjithë avionët janë kthyer në mënyrë të sigurt.

Ai shtoi se ka vazhdimi i negociatave me Rusinë është i nevojshëm. Nga ana tjetër, udhëtimi i presidentit francez Emmanuel Macron në Shën Petersburg, në fund të majit, do të vazhdojë siç është planifikuar.


Pamjet e shkatërrimit të laboratorit të armëve kimike në Siri

14:21 - Televizioni shtetëror i Sirisë ka transmetuar pamje të gërmadhave të laboratorit në të cilin u prodhuan armët kimike afër Damaskut.

Zyrtarët e Pentagonit kanë thënë se sulmi me raketa nga anijet dhe aeroplanët me sukses ka përfunduar kur janë shkatërruar laboratorët që prodhonin armët kimike.

Pentagoni ka bërë të ditur se 100 raketa kanë goditur bazën ushtarake në Homs dhe qendrën e laboratorëve në Barzeh, afër Damaskut.


Sonte mblidhet Këshilli i Sigurimit të OKB-së

14:43 Pas ndodhive të fundit në Siri, që SHBA-ja me Francën dhe Britaninë sulmuan caqet e regjimit të Assadit, sonte pritet të mbahet takim urgjent i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Takimi do të mbahet me orën lokale 11 të mëngjesit, raporton CNN, transmeton Koha.net.

“KS i OKB-së, do të mblidhet në lidhje me zhvillimet e fundit në Siri”, ka shkruar zëvendës ambasadori i Suedisë, Carl Skau në Twitter.

Gjithashtu, një zyrtar i NATO-s ka thënë se edhe Aelanca veri-atlantike ushtarake, pritet të mblidhet në lidhje me këtë.

Lexo edhe: Mblidhet NATO


Rouhani i thotë me telefon Assadit se Irani mbështet Sirinë

14:29 - Presidenti iranian Hassan Rouhani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin sirian Bashar al-Assad, pas sulmeve të fundit në Siri nga fuqitë perëndimore.

Rouhani ka thënë se Irani qëndron pranë Sirisë, duke shprehur besimin se ky agresion, “nuk do të dobësojë vendosmërinë e popullit sirian në luftën kundër terrorizmit”, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

Assadi zotohet të “shtyp terrorizmin” pas sulmit nga perëndimorët.

Assadi, citohet t’i ketë thënë Rouhanit pas sulmit që ndodhi, se “do të rritet vendosmëria për të luftuar dhe për të shtypur terrorizmin”.

BE-ja, ndërkohë i ka bërë sot thirrje Rusisë dhe Iranit të ndihmojnë në parandalimin e sulmeve me armë kimike nga qeveria siriane, duke u paralajmëruar edhe sanksione të reja ekonomike.

“BE-ja i bën thirrje të gjitha vendeve, veçanërisht Rusisë dhe Iranit, të përdorin ndikimin e tyre për të parandaluar përdorimin e mëtejshëm të armëve kimike, veçanërisht nga regjimi sirian”, thuhet në një deklaratë të BE-së.

BE-ja kishte imponuar sanksione siriane në korrik të vitit 2017 dhe në mars të këtij viti dhe ishte “gjithmonë e gatshme të merrte në konsideratë masat e mëtejshme sipas nevojës”.


Rebelët në Siri thonë se sulmet nga perëndimorët nuk ishin të mjaftueshme

14:14 - Opozita siriane ka reaguar pas sulmeve mbi Siri nga SHBA-ja, që i dolën në ndihmë edhe Britania e Madhe dhe Franca.

Ata thonë se sulmet e tyre nuk do të ndryshojnë rrjedhën e luftës shtatëvjeçare në Siri, pasi ushtria siriane ka thënë se do sulmojë edhe vende tjera, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

Raketat nga SHBA, Franca e Britania, synonin parandalimin e armëve kimike të presidentit sirian Bashar al-Assad mbi popullin sirian. Por, rebelët dhe politikanë të opozitës thonë se fuqitë perëndimore duhet të sulmojnë edhe armët konvencionale të Assadit, të cilat kanë vrarë mijëra njerëz nga lufta që nisi në vitin 2011.

“Mbase regjimi nuk do përdorë armë kimike, por nuk heziton të përdorë armë tjera”,ka thënë kreu i opozitës, Nasr al-Hariri.


Yildirim pyet perëndimorët: Ku ishin deri më sot

14:02 - Kryeministri turk, Binali Yıldırım, sot në Stamboll deklaroi se disa vende mendojnë për njerëzimin vetëm kur bëhet fjalë për armët kimike, duke pyetur se ku ishin deri më sot, sepse civilët vriten në Siri prej shtatë vitesh.

“Në ditët e fundit, regjimi i poshtër në Siri me armë kimike vrau fëmijë, njerëz të pafajshëm, dhe papritmas, vendet që e shohin veten si ndërgjegje të njerëzimit, ngrenë zërin e tyre: Për shtatë vjet në Siri njerëzit janë vrarë, egërsia vazhdon, juve a kujtoheni për njerëzimin vetëm kur është fjala për armët kimike. Ku ishit deri më sot”, pyeti Yıldırım, përcjell AA.

 

Mblidhet NATO

13:19 - Aleanca veri-atlantike ushtarake, NATO, do të mblidhet në nivel të ambasadorëve këtë pasdite në selinë qendrore në Bruksel.

Qëllimi i takimit është veprimi i fundit ushtarak i ndërmarrë në Siri, nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca.

Pas takimit, sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg do të flasë para mediave.

Lexo edhe: NATO deklarohet lidhur me ndërhyrjen ushtarake në Siri

Bashkimi Evropian ka përkrahur ndërhyrjen ushtarake të tre aleatëve perëndimorë.

Lexo edhe: SHBA, Franca dhe Britania njoftojnë NATO-n për sulmin në Siri

BE i jep përkrahje të fuqishme aksionit në Siri

13:14 - Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini ka shprehur përkrahjen e plotë të BE-së ndaj sulmeve ushtarake të tri vendeve perëndimore (SHBA, Britani, Francë), kundër Sirisë.

BE vlerëson se për Sirinë nuk mund të ketë tjetër zgjidhje, përveç asaj politike.

Mogherini ka thënë se ky veprim i tre aleatëve është bërë në përpjeke për ta parandaluar përsëritjen e sulmeve të ngjashme të armëve kimike nga regjimi sirian.

“BE mbështet çdo përpjekje për të ndaluar përdorimin e armëve kimike. Ne e shohim si tejet shokuese që bashkësia ndërkombëtare ende duhet të përballet me përdorimin e armëve kimike”, thuhet në një pjesë të komunikatës së Mogherinit.

Shefja e diplomacisë evropiane ka përkujtuar se përdorimi i këtij lloji të armëve është krim kundër njerëzimit dhe krim i luftës.

“Bashkimi Evropian u bën thirrje që të gjitha vendeve, sidomos Rusisë dhe Iranit, që të përdorin ndikimin e tyre për të parandaluar çdo përdorim të mundshëm të armëve kimike, sidomos nga regjimi i Sirisë”, thuhet ndër tjerash.

“Ne kemi një qëllim të përbashkët në parandalimin e çdo eskalimi në dhunë që mund të shndërronte krizën në Siri në një konfrontim më të gjerë regjional, me pasoja të paimagjinueshme për Lindjen e Mesme dhe në fakt për gjithë botën. BE u bën thirrje të gjitha palëve në konflikt, sidomos regjimit dhe aleatëve të tij, që menjëherë të zbatojnë armëpushim, dhe të sigurojnë qasjen humanitare dhe evakuimet mjekësore të pranuara njëzëri nga rezoluta 2401”, vazhdon komunikata.

SHBA, Franca, dhe Britania e Madhe kanë sulmuar caqet siriane ku dyshohet se ka armë kimike. Deri më tani Kanada, NATO, dhe Turqia kanë përkrahur këtë veprim të ndërmarrë. Shteti rus në anën tjetër ka paralajmëruar pasoja për Amerikën, duke mohuar të ketë pasur sulm kimik në Siri.


SHBA, Franca dhe Britania njoftojnë NATO-n për sulmin në Siri

12:55 - Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania do të njoftojnë të dërguarit e NATO-s lidhur me sulmet ajrore të koordinuara drejt Qeverisë siriane, ka thënë një zyrtar i aleancës.

Takimi i 29 ambsadorëve në NATO pritet të fillojë rreth orës 13:00.

NATO nuk është përfshirë në sulme, mirëpo Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg ka thënë të shtunën përmes një deklarate se ai mbështet sulmet.

“Ky hap do të kufizojë kapacitetin e regjimit për të kryer sulme me armë kimike kundër popullit sirian”, ka thënë ai.

Ndërkohë presidenti rus, Vladimir Putin ka kundërshtuar veprimin e SHBA-së dhe aleatëve të saj duke kërkuar mbajtjen e një takimi urgjent në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ai e ka cilësuar këtë hap si “akt të agresionit kundër shtetit sovran që po konfrontohet me terrorizmin”.


May e bindur se raketat kanë degraduar armët kimike të Assadit

11:13 - SHBA, Britania e Madhe dhe Franca kanë kryer sulme ajrore ndaj caqeve ku dyshohet për armë kimike të regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Kryeministrja britanike, Theresa May është e bindur në suksesin e këtyre sulmeve, raporton The Indepedent.

Britania e Madhe pohon se raketa “shumë të suksesshme” kanë degraduar armët kimike të Assad-it.

Sulmin në Douma, May e quajti si të egër dhe të neveritshëm, duke shtuar se beson në suksesin e këtij aksioni ushtarak të perëndimit. Ajo ka shtuar se shpreson që këto sulme do të dërgojnë mesazh te të tjerët, përveç Sirisë, në lidhje me përdorimin e armëve kimike.

Operacioni nga tre aleatët erdhi mëngjesin e hershëm të së shtunës, pas atij që dyshohet të jetë sulm kimik në Siri.


Gjermania mbështet sulmin në Siri – Merkel: Veprim i nevojshëm

10:58 - Sulmin ajror të SHBA-së, në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe Francën, e ka përshëndetur edhe Gjermania.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, ka thënë se “ishte veprim i nevojshëm dhe i përshtatshëm”, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

Ajo tha se ky veprim u bë për të paralajmëruar regjimin sirian kundër përdorimit të mëtejshëm të armëve kimike.

“Ne mbështetim faktin se aleatët tanë amerikanë, britanikë dhe francezë morën përgjegjësi në këtë mënyrë, si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Merkel.

Merkel ka paralajmëruar gjatë kësaj jave se e përkrahin këtë vendim nga SHBA-ja, por Gjermania nuk do të merr pjesë në asnjë aksion ushtarak.


Rusia thërret takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

10:28 - Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia po bën thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë së OKB-së, për të diskutuar rreth veprimeve që ndërmorën SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca.

Siç raporton Reuters, një zyrtar i shërbimit gjeneral rus, ka thënë se Rusia do ta ketë parasysh vendimitn për të furnizuar Sirinë me sistem raketor S-300, transmeton Koha.net.

Putin ka dënuar sulmin e SHBA-së, Francës e Britanisë së Madhe mbi Siri.

Reuters citon të ketë thënë se me veprimin e SHBA-së, u keqësua gjendja humanitare në Siri dhe gjithashtu shkaktuan dhimbje tek civilët. Gjithashtu, thotë se SHBA-ja ka dëmtuar marrëdhëniet ndërkombëtare.

Deri tani, situata në Damaskus dhe qytetet tjera në Siri është e mirë, ka thënë ky zyrtar.


Më shumë se 100 raketa u lëshuan në Siri

10:15 - Pentagoni ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me Britaninë e Madhe dhe Francën kanë lëshuar më shumë se 100 raketa nga anijet dhe aeroplanët në sulmin kundër regjimit të Bashar al Assadit.

SHBA-të nuk kanë konfirmuar se sa raketa kanë goditur caqet derisa media siriane pro-Assadit ka raportuar se 30 raketa janë lëshuar mbi Sirinë dhe se një e treta e tyre ishte shkatërruar nga ushtria siriane.


Këto janë caqet që aleatët perëndimorë sulmuan mbi Siri

09:55 - SHBA-ja në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe Francën, ka sulmuar Sirinë, kjo për t’i dhënë goditje regjimit të diktatorit Bashar Al-Assad.

Trump tha se qëllimi i këtij sulmi është që të ndalohet prodhimi dhe përdorimi i armëve kimike, transmeton Koha.net.

Sulmet kanë goditur Damaskun si dhe dy vende shumë pranë, Homsin dhe Pentagonin.

Sipas zyrtarëve të Pentagonit u goditën tri objektiva, një laborator kërkimor në Damask, i lidhur me prodhimin e armëve kimike dhe biologjike, një magazinë ku mbaheshin armë kimike në qytetin Holms dhe një magazinë tjetër ku mbaheshin pajisje për prodhim armësh dhe shërbente si qendër e rëndësishme komande, gjithashtu në afërsi të Holmsit.

Reuters raporton se sulmet ajrore në Siri kanë përfunduar, por ka forca ushtarake të gatshme, që në rast se u kërkohet ato do të intervenojnë.

Këtë sulm mbi regjimin sirian, e kanë përshëndetur Kanadaja, Turqia dhe NATO.


Rusia paralajmëron pasoja ndaj SHBA-së

08:45 - Rusia ka paralajmëruar pasoja për sulmet ushtarake të udhëhequra nga SHBA-ja në Siri. Sulmin mbi Siri me armë kimike, Moska po i vlerëson si fyerje ndaj presidentit Vladimir Putin.

“Një skenar i paramenduar është duke u zbatuar. Përsëri, jemi duke u rrezikuar. Kemi paralajmëruar se aksione të tilla nuk do të mbesin pa pasoja”, ka shkruar në Twitter ambasadori rus, Anatoly Antonov, përcjell kp.

Sipas tij, Amerika si vendi me arsenalin më të madh të armëve kimike, nuk ka të drejtë morale që t’i fajësojë vendet e tjera.

Vladimir Putin, që kur mori anën e Bashar al-Assadit ka qenë njëri ndër kryesorët në mbijetesën e regjimit të presidentit sirian.

Përkrahja ruse me trupa dhe mbështetje ajrore ka bërë që forcat e Assadit të jenë në gjendje që të marrin kontrollin në disa pjesë të vendit, që kërcënoheshin para dy viteve nga rebelët dhe luftëtarët e ISIS-it.

Moska vazhdimisht ka mohuar përdorimin e armëve kimike.


Vjen reagimi i Bashar al-Assadit: Mëngjes i elasticitetit

08:38 - Presidenti sirian Bashar al-Assad, mëngjesin e sotëm ka postuar një video ku shihet duke shkuar në zyrën e tij në presidencë.

Kjo ndodhi pak orë pas sulmit që kryen në Siri, SHBA-ja, Franca dhe Britania e Madhe, si reagim kundër përdorimit të armëve kimike ndaj popullit sirian.

Siç raporton Reuters, Assadi i ka bashkuar videos një mbishkrim “Mëngjes i elasticitetit”, ndërsa në videon e cila zgjat rreth 8 sekonda, Assadi nuk flet asgjë por duket i veshur në kostum me kravatë dhe mbanë në duar një çantë, transmeton Koha.net.


NATO deklarohet lidhur me ndërhyrjen ushtarake në Siri

08:28 - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, ka mbështetur aksionin ushtarak në Siri, të ndërmarrë nga SHBA-ja, Franca dhe Britania e Madhe.

Përmes një komunikate dërguar medieve, aleanca veri-atlantike ka shprehur qëndrimin se ky veprim do të zvogëlojë mundësinë e regjimit për sulme të tjera kimike mbi popullin sirianë nga regjimi i Assadit.

NATO vazhdimisht ka dënuar përdorimin e armëve kimike si një shkelje të qartë të marrëveshjeve dhe rregullave ndërkombëtare.

“NATO e konsideron përdorimin e armëve kimike si një kërcënim për paqen dhe sigurinë botërore, dhe beson se është jetike që të mbrohet konventa për armët kimike. Ajo bën thirrje për një përgjigje të përbashkët dhe efektive të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në kumtesë.


Edhe Turqia përshëndet sulmin ndaj qeverisë siriane

08:22 - Pas mbështetjes që morën sulmet e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës nga Kanadaja, edhe Turqia ka përshëndetur veprimin e tyre.

Kështu ka thënë një burim i ministrisë së Jashtme për Reuters.

“Ne e shohim operacionin e kryer kundër qeverisë siriane nga SHBA-j, Britania e Madhe dhe Franca si një përgjigje të përshtatshme”, ka thënë ky burim.


Kanadaja mbështet ndërhyrjen ushtarake në Siri

08:06 - SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca kanë bombarduar disa caqe qeveritare në Siri në operacionin e mëngjesit të hershëm lidhur me përdorimin e armëve kimike.

Kanada ka mbështetur këtë vendim të aleatëve, duke dënuar ashpër sulmin e javës së kaluar në Siri.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau përmes një publikimi në Facebook ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë me partnerët ndërkombëtar për hetimin e përdorimit të armëve kimike në Siri.

“Kanada dënon në termet më të fuqishme, përdorimin e armëve kimike gjatë javës së kaluar në Ghoutan lindore të Sirisë. Kanadaja mbështet vendimin e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës që ndërmorën veprime për të degraduar aftësinë e regjimit të Asadit, për sulme me armë kimike kundër popullit të vet. Ne do vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të hetuar më tej përdorimin e armëve kimike në Siri. Ata janë përgjegjës dhe duhet të sillen para drejtësisë”, ka shkruar Trudeau, transmeton Koha.net.


SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca nisin sulmet në Siri

03: 50 - Presidenti amerikan, Donald Trump ka lajmëruar botën, të premten në mbrëmje, sipas kohës amerikane, se në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe Francën, ka urdhëruar nisjen e sulmeve ajrore në Siri kundër regjimit të dikatatorit Bashar Al-Assad.

“Qëllimi i këtyre sulmeve sonte është që të ndalohet prodhimi dhe përdorimi i armëve kimike. Ky është interes vital për sigurinë e SHBA-së. Jemi të gatshëm të sulmojmë derisa regjimi sirian të ndalojë së përdorur armët e ndaluara”, ka thënë Trump, raporton KTV.

Sulmet kanë goditur Damaskun si dhe dy vende shumë pranë, Homsin dhe Pentagonin.

Ai ka thënë se Rusia duhet të vendosë nëse do të vazhdojë në rrugën e errët, ose do t’u bashkohet vendeve të civilizuara si forcë për paqe dhe stabilitet.

Artikuj të ngjashëm