Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Komisioni Evropian i ndan 18 miliardë euro për Ukrainën, kundërshton Hungaria

Komisioni Evropian ka propozuar që t’i ofrohet Ukrainës një ndihmë makrofinanciare, me rreth 18 miliardë euro për vitin 2023, raportoi BBC-ja të martën.

Kjo u bë e ditur nga Komisioni Evropian nëpërmjet Twitterit.

“Ne ofrojmë mbështetje për Ukrainën me shumën prej 18 miliardë eurove, në formë të kredive për vitin 2023”, thuhet në njoftim. Kundër kësaj ndihme thuhet se ka dalë Hungaria.

Sipas BBC-së, ministri hungarez i Financave, Mihai Varga, iu tha kolegëve në Bruksel se nuk do të mbështeste një pako të tillë ndihmëse. Krah tij doli edhe ministri i Jashtëm, Peter Szijjarto, që tha se Hungaria nuk do ta mbështesë një vendim të tillë.

Bazuar në mënyrën se si operon Bashkimi Evropian, një vendim i tillë nuk mund të merret pa miratimin unanim të 27 shteteve anëtare.

Deri më tani, Bashkimi Evropian i ka dërguar Ukrainës dhjetëra pako ndihmëse në luftë kundër Rusisë. Por, ndihmën më të madhe, si me financa ashtu edhe me mjete ushtarake, e ka ofruar SHBA-ja.