Botë

Kievi goditet rëndë nga sulmet ruse

Kievi

Foto: Associated Press

Kryeqyteti i Ukrainës, Kiev, ka qenë përsëri cak i një sulmi masiv me dron rus gjatë natës të së mërkurës, kanë bërë të ditur zyrtarët lokalë.

Të paktën dy persona janë raportuar të vrarë dhe 13 të plagosur, dhe zjarre që digjen në të gjithë qytetin.

Autoritetet në Kiev thonë se mbetjet e një droni goditën çatinë e një ndërtese banimi në lagjen qendrore Shevchenkivskyi, raporton BBC.

Ukraina raportoi sulmin më të madh ajror rus ndonjëherë të martën në mbrëmje, pasi 728 dronë dhe 13 raketa balistike goditën qytete në të gjithë vendin në valë të shumta.

Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, administrata ushtarake e Kievit raportoi sulme me dron rus në gjashtë lagje të qytetit.

Banorëve u është kërkuar të strehohen derisa të ndalen sirenat e sulmit ajror, si dhe të mbyllin dritaret kur të kthehen në shtëpitë e tyre, sepse në Kiev ka "shumë tym".

SHBA-ja ka rifilluar dërgimin e disa armëve në Ukrainë, ka raportuar Reuters vonë të mërkurën, disa ditë pasi ndaloi dërgesat e disa armëve të rëndësishme të mbrojtjes ajrore.

Vendimi i tij vjen pak pasi Trumpi ka shprehur zhgënjim në ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.

Të dy udhëheqësit kanë qenë në kontakt të rregullt, por deri më tani kjo nuk ka arritur të shndërrohet në hapa të prekshëm drejt një armëpushimi në Ukrainë - diçka që Trumpi dikur kishte thënë se do të ishte në gjendje ta arrinte brenda një dite.

Trump ka kërcënuar me sanksione ndaj Rusisë që kur ka marrë detyrën në janar, por deri më tani nuk ka vendosur asnjë.

Ndërkohë, të enjten, sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, pritet të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në margjinat e një samiti në Malajzi.

Putin ka nisur pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.