Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kërcënimi me vdekje i të burgosurve rusë: Nëse luftoni, liroheni - nëse ikni, vriteni

Rusia po vazhdon të rekrutojë anëtarë të grupit “Wagner”, për t'i dërguar në frontet e luftës ndaj Ukrainës. Gazetari ukrainas, Yaroslav Trofimov, publikoi të mërkurën pamje ku shihen qindra të burgosur rusë, që po bëheshin pjesë e “Wagnerit”, për të shërbyer krahë trupave ruse.

Sipas gazetarit, fjalimin para personave po e mbante oligarku dhe financuesi rus i grupit, Yevgeny Prigozhin. Ai dëgjohet duke i kërcënuar me vdekje “wagnerët” nëse zmbrapsen.

“Për herë të parë shfaqet një video e një bisede rekrutimi për ‘Wagner’ nga Prigozhin, në një kamp burgu rus. Befasuese”, shkroi Trofimov, duke bërë të ditur se oligarku iu premtonte liri të përjetshme të burgosurve.

“Askush nuk kthehet prapa hekurave. Nëse shërben gjashtë muaj, je i lirë. Nëse arrini në Ukrainë dhe zmbrapseni, ne ju ekzekutojmë”, dëgjohet duke thënë Prigozhin. Nuk është konfirmuar nëse pamjet e publikuara janë aktuale.

“Wagner” është grup privat rus që shfrytëzohet nga autoritetet shtetërore “sa herë i duhet”. Ai njihet për krime mizore në botë dhe përdhunime. Shumica prej anëtarëve të tij, janë të burgosur apo persona që kanë vuajtur disa vjet burgim.

Para konfliktit në Ukrainë, ky grup mercenarësh ishte aktivizuar në Siri. Rreth 200 prej tyre u dërguan në Kiev për t'i vrarë figurat politike ukrainase, ndërsa një grup u pozicionua në Bjellorusi.