Grupi “Wagner” ende është duke rekrutuar ushtarë nëpër Rusi, ani pse organizoi kryengritjen kundër udhëheqësve të ushtrisë ruse në një prej krizave që lëkundi pushtetin e presidentit Vladimir Putin.
Grupi i mercenarëve ka hapur disa qendra rekrutimi nëpër Rusi dhe rekrutimin e ka cilësuar si biznes të zakonshëm. Askush në Rusi nuk beson se grupi është shpërbërë pasi lideri Yevgeny Prigozhin iku në drejtim të Bjellorusisë.
Wagneri ka pika kontakti për rekrutim në klubet e sportit, përfshirë atë të arteve marciale dhe boksit. Ministria e Mbrojtjes në Rusi ka futur nën kontroll grupin mercenar, mirëpo shumë të rekrutuar në ditët e fundit kanë pranuar se kontratat i kanë nënshkruar me “Wagnerin” dhe jo me Ministrinë ruse të Mbrojtjes.
Kërkesa që mercenarët të transferoheshin në Ministrinë e Mbrojtjes nxiti Prigozhinin që ta organizonte kryengritjen ndaj ushtrisë.
Ndaj tij nuk është ngritur asnjë rast nga regjimi rus që ka shtypur aktivistët opozitarë dhe i ka dënuar me burgime të gjata vetëm pse janë shprehur kundër luftës ruse në Ukrainë.