Themeluesi i grupit të fshehtë mercenar rus Wagner është shfaqur në pamjet e zbuluara duke u përpjekur të rekrutojë të burgosur për të luftuar në Ukrainë.
Në pamjet e filmuara, të verifikuara nga BBC-ja, shihet Yevgeniy Prigozhin duke iu drejtuar një grupi të madh të të arrestuarve.
Prigozhin u tha të burgosurve se dënimet e tyre do të zvogëloheshin në këmbim të shërbimit me grupin e tij.
Videoja do të konfirmonte spekulimet e gjata se Rusia shpreson të rrisë forcat e saj duke rekrutuar të dënuar, shkruan BBC-ja të enjten.
Derisa ligji rus nuk lejon ndryshimin e dënimeve me burg në këmbim të shërbimit mercenar, Prigozhin këmbënguli që “askush të mos kthehet prapa hekurave” nëse shërben me grupin e tij.
“Nëse shërben gjashtë muaj (në Wagner), je i lirë”, tha ai. Por ai paralajmëroi rekrutët e mundshëm kundër dezertimit dhe tha “nëse arrini në Ukrainë dhe vendosni se nuk është për ju, ne do t'ju ekzekutojmë”.
Ai gjithashtu informoi të burgosurit për rregullat e Wagnerit që ndalojnë alkoolin, drogën dhe “kontaktet seksuale me gratë vendase, florën, faunën, burrat dhe çdo gjë”.
Edhe
Çfarë është grupi Wagner dhe ku janë luftëtarët e tij?
Duke folur në atë që dukej të ishte oborri i stërvitjes së kolonisë penale, shefi mercenar aludoi gjithashtu për vështirësitë me të cilat Rusia është përballur në konfliktin e zgjatur, duke u thënë rekrutëve të mundshëm se “kjo është një luftë e vështirë, as afër Çeçenisë dhe të tjerëve”.
Mbetet e paqartë se kush e ka filmuar videon, kur ka ndodhur apo si është publikuar.