Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Jep dorëheqje presidenti i Vietnamit, Vo Van Thuong

Presidenti vietnamez, Vo Van Thuong, ka dhënë dorëheqjen pas pak më shumë se një viti në detyrë, sipas një deklarate të lëshuar të mërkurën nga Partia Komuniste.

Dorëheqja e tij ndodh mes një fushate intensive kundër korrupsionit që ka goditur nivelet më të larta të partisë, raportoi AP.

Komiteti Qendror i partisë miratoi dorëheqjen e tij, duke shkruar në një deklaratë se "shkeljet nga Vo Van Thuong kanë lënë një shenjë të keqe në reputacionin e Partisë Komuniste".

Thuong, 54 vjeç, u bë president në mars të vitit 2023, dy muaj pasi paraardhësi i tij, Nguyen Xuan Phuc kishte dhënë po ashtu dorëheqjen për të marrë "përgjegjësinë politike" për skandalet e korrupsionit gjatë pandemisë. Ai ishte presidenti më i ri që kur Vietnami i sotëm doli nga lufta, në mesin e viteve 1970.

Pozicioni i presidentit në Vietnam është kryesisht ceremonial dhe renditet i treti në hierarkinë politike të vendit.