Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Izraeli i kërkon Britanisë ta mbyllë konsullatën e saj në Jerusalem brenda 30 ditësh

Konsullata britanike në Bregun Perëndimor

Konsullata britanike në Bregun Perëndimor

Foto: Associated Press

Izraeli i ka thënë Mbretërisë së Bashkuar se duhet të mbyllë konsullatën e saj në Jerusalemin Lindor brenda 30 ditësh, kanë thënë të mërkurën për Reuters dy zyrtarë izraelitë dhe dy burime të njohura me çështjen.

Mbyllja e konsullatës, e cila përfaqëson qeverinë britanike në Jerusalem, Bregun Perëndimor dhe Gazë për çështjet palestineze, është ndër një sërë masash hakmarrëse të ndërmarra nga Izraeli në përgjigje të njoftimit të Britanisë së Madhe, Francës dhe Kanadasë për sanksione ndaj vendbanimeve izraelite, të martën.

Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, ka thënë të mërkurën se i vinte keq për vendimin e Izraelit për të urdhëruar mbylljen e konsullatës, por ka shtuar se ky vendim nuk ishte befasi.

“Ne peshuam kostot dhe përfitimet e veprimit dhe menduam se thjesht nuk mund të qëndronim duarkryq, sepse kishim frikë nga veprimet e Izraelit”, ka thënë ai për BBC.

Të martën, Miliband ka thënë se Izraeli kishte “mbyllur sytë” ndaj dhunës së ushtruar nga kolonët kundër palestinezëve

Diplomatët britanikë që punojnë në konsullatë, prania e së cilës në Jerusalem daton që nga viti 1839, do të humbasin gjithashtu statusin e tyre diplomatik brenda 30 ditësh, kanë thënë zyrtarët izraelitë dhe dy burimet.

Zyrtarëve britanikë të caktuar në një mision koordinues për Gazën, të udhëhequr nga SHBA-ja në Izrael, si dhe diplomatëve britanikë me bazë në Ramallah, u janë dhënë shtatë ditë për t’u larguar, kanë thënë njëri prej zyrtarëve izraelitë dhe dy burimet.

Izraeli ka njoftuar gjithashtu se Britanisë nuk do t’i lejohet më të trajnojë forcat palestineze të sigurisë në Bregun Perëndimor, ndërsa 12 ligjvënësve britanikë dhe shtetasve të tjerë, përfshirë ish-liderin e Partisë Laburiste dhe kritikun e zëshëm të Izraelit, Jeremy Corbyn, do t’u ndalohet hyrja në vend,
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, ka thënë në X se kishte falënderuar Kemi Badenoch, lideren e opozitës së Partisë Konservatore britanike, për kritikat e saj ndaj sanksioneve.

Badenoch ka shkruar në gazetën Sun se qeveria laburiste po “vë interesat e veta partiake mbi interesin kombëtar”.

Miliband u ka thënë të martën ligjvënësve se, përveç ndalimit të importeve të mallrave nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, Britania do të merrte masa edhe ndaj kompanive dhe individëve që ofrojnë shërbime për vendbanimet, përfshirë “ndërtimin, infrastrukturën, financimin ose pasuritë e paluajtshme”.

Franca dhe Kanadaja kanë thënë gjithashtu se do të ndalonin importin e produkteve nga vendbanimet izraelite, ndërsa nëntë vende të tjera, përfshirë Danimarkën dhe Portugalinë, e mbështetën veprimin e Britanisë.

Në përgjigje, Saar e ka cilësuar veprimin e Britanisë si “të shtrembëruar moralisht” dhe e ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar për “ndërhyrje flagrante në çështjet e një shteti sovran dhe në procesin e tij zgjedhor”, përpara zgjedhjeve izraelite të muajit të ardhshëm.

Sanksionet janë masat më të fundit në një seri veprimesh që synojnë politikën izraelite të vendbanimeve dhe nënvizojnë izolimin diplomatik në rritje të Izraelit mes disa prej aleatëve të tij tradicionalë.

Deri tani, përgjigjja e Shteteve të Bashkuara ka qenë e përmbajtur. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se Uashingtoni nuk dëshironte të shihte “asgjë destabilizuese” në Bregun Perëndimor, ndërsa nuk ka pranuar të komentonte në mënyrë specifike sanksionet britanike.