Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Britania sanksionon vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, akuzon kolonët për “spastrim etnik”

Ed Miliband

Foto: Associated Press

Britania e Madhe ka njoftuar të martën një ndalim tregtar për mallrat e prodhuara në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, në koordinim me Francën dhe Kanadanë. 

Ky është sanksioni më i fundit që synon Izraelin, ndërsa vendi përballet me rritje të izolimit diplomatik.

Ministri i Jashtëm britanik, Ed Miliband, ka thënë në Parlament të martën se Britania nuk mund të mjaftohej më vetëm duke “denoncuar” padrejtësinë dhe vuajtjet, duke shtuar se vendi tani duhet të “veprojë” për të kundërshtuar zgjerimin e vendbanimeve.

“Sot refuzojmë të jemi spektatorë përballë vuajtjeve të mëtejshme dhe shkatërrimit të zgjidhjes me dy shtete”, ka deklaruar Miliband. 

Miliband ka thënë se edhe Franca e Kanadaja do të njoftojnë së shpejti ndalimin e importit të mallrave nga vendbanimet e paligjshme dhe se atyre do t’u shtohen edhe një varg shtetesh të tjera evropiane. 

Edhe Izraeli thotë se do të mbyllë konsullatën e Britanisë në Jerusalem Botë Izraeli thotë se do të mbyllë konsullatën e Britanisë në Jerusalem

SHBA-ja, përmes ambasadorit të saj në Izrael, e ka kritikuar tashmë vendimin e ri të Britanisë për sanksionet, ndërsa dy ministra izraelitë kanë bërë thirrje për marrjen e masave kundër Britanisë.

Miliband ka thënë gjithashtu se qëndrimi i Britanisë është se pushtimi i Bregut Perëndimor është i paligjshëm, dhe se Londra zyrtare beson se në disa zona të Bregut Perëndimor po kryhet spastrim etnik i palestinezëve.

Ndikimi mbi tregtinë dypalëshe, me vlerë rreth 8 miliardë dollarë në vit, pritet të jetë minimal.

Megjithatë, ende nuk është e qartë se si Britania do të bëjë dallimin mes mallrave me origjinë nga vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe produkteve të prodhuara në Izrael.

Dy ministra të rëndësishëm izraelitë kanë reaguar me zemërim ndaj vendimit. Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, ka bërë thirrje për dëbimin e ambasadorit britanik në Tel Aviv, ndërsa ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i ka kërkuar kryeministrit Benjamin Netanyahu të mbyllë Konsullatën Britanike në Jerusalemin Lindor, e cila është e akredituar pranë Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor.

Edhe Britania pritet të njoftojë një ndalim tregtar për mallrat izraelite nga Bregu Perëndimor Botë Britania pritet të njoftojë një ndalim tregtar për mallrat izraelite nga Bregu Perëndimor

Ndërkohë, presidenti izraelit, Isaac Herzog, ka akuzuar Britaninë për ndërhyrje në zgjedhjet e ardhshme të Izraelit, të planifikuara për në fund të tetorit.

“Në kontekstin aktual, kjo do të përbënte një ndërhyrje flagrante në zgjedhjet demokratike të një kombi sovran. Dhe nuk do t'i shërbente askujt. Për fat të keq, do t'u shkaktonte dëm të drejtpërdrejtë palestinezëve, duke i privuar ata nga mundësitë për biznes dhe punësim...Sanksionet nuk janë zgjidhje. Zgjidhja është dialogu”, ka deklaruar Herzog. 

Në qendër të shqetësimeve të fundit është projekti i vendbanimit E1 në Bregun Perëndimor, jo larg Jerusalemit. Ky projekt do të ndërpresë një pjesë të territorit që palestinezët e kërkojnë për një shtet të pavarur në të ardhmen dhe, sipas Miliband, e vë në rrezik zgjidhjen me dy shtete.

Ministri izraelit Smotrich ka njoftuar të martën për avancimin e planeve për ndërtimin e 1,000 banesave të reja në dy vendbanime të tjera në Bregun Perëndimor.

Edhe Izraeli i kërkon Britanisë ta mbyllë konsullatën e saj në Jerusalem brenda 30 ditësh Botë Izraeli i kërkon Britanisë ta mbyllë konsullatën e saj në Jerusalem brenda 30 ditësh

Kombet e Bashkuara, palestinezët dhe shumica e vendeve i konsiderojnë vendbanimet të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Izraeli e kundërshton këtë qëndrim.

Britania iu bashkua në vitin 2025 vendeve të tjera duke njohur shtetin palestinez, si një mënyrë për të nxitur zgjidhjen me dy shtete. Në qershor, ajo vendosi sanksione ndaj rrjeteve izraelite të përfshira në financimin, mundësimin dhe kryerjen e dhunës në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Lexo përditësimet tjera
Bregu Perendimor

Britania pritet të njoftojë një ndalim tregtar për mallrat izraelite nga Bregu Perëndimor

Britania do të njoftojë më vonë të martën një ndalim tregtar për mallrat e prodhuara në...