Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband ka konfirmuar se Britania e Madhe do të ndalojë importin e mallrave nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar në mënyrë të paligjshme.
Duke folur të martën në Parlament, Miliband ka thënë se po kryhet “spastrim etnik” nga “kolonë terroristë” dhe ka akuzuar qeverinë izraelite se po “mbyll sytë” ndaj kësaj situate.
Ai ka thënë gjithashtu se Franca dhe Kanadaja do t’i bashkohen Britanisë në vendosjen e sanksioneve ndaj vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, të cilat janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.
Vendimi i Britanisë vjen në një kohë kur Izraeli planifikon të ndërtojë 1,200 banesa të reja në territorin e pushtuar.
Sulmet e kolonëve ndaj palestinezëve janë rritur gjithashtu këtë vit, ndërsa OKB-ja thotë se numri i të plagosurve ka arritur mesatarisht në tre persona në ditë.
Zyrtarë izraelitë dhe amerikanë kanë paralajmëruar Britaninë për planet e saj, ndërsa presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, i ka cilësuar ato si një “gabim të rëndë në vlerësim”.
Ndërkohë, ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, i ka thënë BBC-së se kompanitë britanike mund të “ndalohen” të bëjnë biznes në një numër shtetesh amerikane.