Ministrja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, ka paralajmëruar Izraelin të mos aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor si hakmarrje ndaj njohjes së shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar.
Duke folur për BBC-në, Cooper ka thënë se ua kanë bërë të qartë homologëve të tyre izraelitë që qeveria e Izraelit nuk duhet ta përdorë këtë vendim si arsye për të aneksuar më shumë territor palestinez.
Njohja e shtetit të Palestinës zyrtarisht nga Britania e madhe u pasua me kundërshtim të ashpër nga ana e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Në intervistën e saj, Cooperi theksoi se vendimi i Mbretërisë së Bashkuar është hap i rëndësishëm për të mbështetur sigurinë dhe paqen në Lindjen e Mesme, duke nxjerrë në pah nevojën për një zgjidhje të dy shteteve. Ajo e theksoi se kjo është mundësi për të riafirmuar të drejtat e popullit palestinez për një shtet të vetin.
"Ajo që po bëjmë është të respektojmë sigurinë për Izraelin dhe për palestinezët, të mbrojmë paqen dhe drejtësinë, dhe për më tepër, të sigurojmë paqen në Lindjen e Mesme”, ka theksuar Cooper.
Kryeministri Netanyahu ka deklaruar se njohja e shtetit palestinez nuk do të ndodhë, duke e quajtur këtë si “hap që shpërblen terrorizmin”.
Pjesëtarët e komunitetit izraelit, si dhe zëdhënës të qeverisë izraelite, kanë akuzuar kryeministrin britanik për tradhti dhe braktisje të Izraelit.
Megjithatë, kryeministri Starmer ka theksuar se njohja e shtetit palestinez nuk do të thotë njohje të Hamasit si një aktor legjitim politik. Ai ka siguruar se Hamas nuk do të ketë rol në qeverisjen e një shteti të mundshëm palestinez dhe ka theksuar se qeveria britanike është angazhuar për të ndëshkuar më tej këtë grup ekstremist.
Përveç Mbretërisë së Bashkuar, edhe vendet e tjera evropiane si Franca dhe Belgjika, kanë njoftuar se do ta mbështesin njohjen e Palestinës shtet.
Një nga vendimet më të rëndësishme që pritet të merret është caktimi i kufijve të njohur ndërkombëtarisht për Palestinën, e cila aktualisht është njohur si shtet nga rreth 75% e shteteve anëtare të OKB-së, por ende nuk ka kufij të përcaktuar, kryeqytet ose ushtri.