Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë ka bërë të ditur se një anëtar i stafit është vrarë dhe 22 të tjerë janë plagosur kur forcat izraelite goditën një qendër shpërndarjeje ushqimore në Rafah, në Rripin jugor të Gazës.
Shefi i UNRWA, Philippe Lazzarini ka thënë se sulmet ndaj objekteve të saj ishin "bërë të zakonshme në mospërfillje të hapur ndaj ligjit ndërkombëtar humanitar".
Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka thënë se sulmi ajror izraelit la të vdekur pesë persona.
Ushtria izraelite deri më tani nuk ka komentuar mbi incidentin.
Rafah është i mbushur me rreth 1.4 milionë palestinezë që po kërkojnë strehim nga ofensiva tokësore e Izraelit diku tjetër në Gazë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se një sulm izraelit në qytet mund të "zhysë popullin e Gazës në një rreth edhe më të thellë ferri".
Edhe
Vritet një familje 6-anëtarëshe në Gazë nga sulmet izraelite
Lufta në Gazë filloi kur persona të armatosur të Hamasit sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng 253 të tjerë.
Më shumë se 31,200 njerëz janë vrarë në Gazë në fushatën ushtarake që Izraeli filloi si përgjigje, sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Shpërthimi i së mërkurës thuhet se goditi anën lindore të qendrës së shpërndarjes së ushqimit, e cila është në pjesën lindore të Rafahut. Thuhet se të vrarët ishin një djalë 15-vjeçar dhe katër burra të moshës nga 27 deri në 50 vjeç.