Botë

Izraeli godet një nga objektet bërthamore më të mëdha të Iranit

iran

Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme të reja në orët e para të mëngjesit të së shtunës, teksa konflikti mes dy vendeve ka hyrë në ditën e tetë.

Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se Izraeli kishte shënjestruar një objekt bërthamor në Isfahan, një nga më të mëdhenjtë në vend, por se nuk ka pasur rrjedhje të materialeve të rrezikshme.

Mediat iraniane gjithashtu raportuan se Izraeli kishte sulmuar një ndërtesë në qytetin e Qomit, duke vrarë një fëmijë 16-vjeçar dhe duke plagosur dy persona të tjerë.

Ushtria izraelite deklaroi se kishte kryer një valë sulmesh ndaj depozitave të raketave dhe vendndodhjeve të lëshimit të raketave në Iran.

Pak pas orës 2:30 të mëngjesit, sipas kohës lokale të Izraelit, ushtria izraelite paralajmëroi për një sulm me raketa nga Irani. U ndezën sirenat në të gjithë Izraelin qendror, përfshirë Tel Avivin, si dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Në qiellin mbi Tel Aviv u dëgjuan shpërthime që jehonin në të gjithë zonën metropolitane, ndërsa sistemet mbrojtëse të Izraelit reagonin.

Sirenat u dëgjuan gjithashtu në jug të Izraelit, njoftoi shërbimi kombëtar i emergjencës Magen David Adom. Një zyrtar ushtarak izraelit ka thënë se Irani kishte lëshuar pesë raketa balistike dhe se nuk kishte indikacione të menjëhershme se ndonjë prej tyre kishte goditur objektivin.

Nuk ka raportime fillestare për viktima në Izrael.

Lexo përditësimet tjera
Çfarë ka ndodhur ditë pas dite në luftimet Iran-Izrael

Sulmet Izrael – Iran vazhdojnë edhe në ditën e nëntë