Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan në platformën X se sapo kanë “nisur një valë tjetër sulmesh në mbarë Iranin”, duke shtuar se objektiv i tyre është infrastruktura në të gjithë vendin.
Njoftimi u bë rreth orës 08:30 sipas kohës në Teheran, ndërsa kryeqyteti po zgjohej pas një nate sulmesh ndaj rafinerive të naftës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRreth gjysmë ore më herët, IDF kishte bërë të ditur se po punonte për të kapur raketat e lëshuara nga Irani.
Presidenti iranian kërcënon me sulme të reja ndaj objektivave amerikane
Presidenti i Iranit ka kërcënuar se do të intensifikojë sulmet ndaj objektivave amerikane në gjithë Lindjen e Mesme, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli vijojnë fushatën ajrore.
“Kur na sulmojnë, nuk kemi tjetër zgjidhje veçse të përgjigjemi. Sa më shumë presion të na ushtrojnë, aq më i fuqishëm do të jetë reagimi ynë. Irani ynë, vendi ynë nuk do të përkulet lehtë përballë shtypjes, shantazhit e agresionit dhe nuk e ka bërë kurrë”, ka thënë Masoud Pezeshkian.
Komentet e tij duket se kthejnë pas qëndrimin e mëparshëm më të butë ndaj fqinjëve të Gjirit që ai kishte shprehur të shtunën, kur u duk se kërkonte falje për sulmet ndaj tokës së tyre. Por ato komente u kundërshtuan shpejt nga elementë të fortë iranianë.
Pezeshkian tha se Irani nuk kërkon një betejë me vendet arabe fqinje, shumë prej të cilave strehojnë baza ushtarake amerikane. “Ata janë vëllezërit tanë,” theksoi ai, duke akuzuar SHBA-në se përpiqet t’i vërë vendet e rajonit kundër njëra-tjetrës.
Sulmet iraniane shpesh kanë kaluar objektivat amerikane, duke goditur gjithashtu impiante energjetike, hotele dhe qytete në rajon.
Vriten dy oficerë të ministrisë së Brendshme të Kuvajtit
Ministria e Brendshme e Kuvajtit ka bërë të ditur të dielën se dy nga oficerët e saj u vranë "ndërsa kryenin detyrat", sipas një postimi në X.
Ajo nuk ka dhënë detaje mbi rrethanat e vdekjes së tyre, por Kuvajti ka kapur dronë dhe raketa të lëshuara nga Irani pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Republikës Islamike.
SHBA-ja dhe Izraeli kanë vazhduar sulmet ndaj Iranit, që prej 28 shkurtit kur nisën një ofensivë të përbashkët ndaj tij.
Sulmet u nisën dy ditë pas rundit të tretë të bisedimeve indirekte mes SHBA-së dhe Iranit lidhur me programin bërthamor të Teheranit.
Irani afron vendimin për pasardhësin e Khameneit pas sulmeve amerikano-izraelite
Në një video të shpërndarë nga agjencia shtetërore iraniane Mehr, një klerik i lartë tha se Asambleja e Ekspertëve e Iranit pothuajse ka arritur një vendim për atë që do të zëvendësojë ish-udhëheqësin suprem, Ayatollah Ali Khamenei, i cili u vra nga sulmet amerikano-izraelite të shtunën e kaluar.
Asambleja e Ekspertëve është një grup prej rreth 88 klerikësh të lartë, të zgjedhur nga populli, të cilët janë të ngarkuar me detyrën për të vendosur pasardhësin e Khameneit.
Agjencia raportoi se Ayatollah Mohammad Mehdi Mirbagheri deklaroi se është arritur një “vendim shumice”, por se disa pengesa procedurale duhet të zgjidhen ende.
Pritet që asambleja të mblidhet së shpejti, ndërsa ushtria izraelite ka kërcënuar të “ndjekë çdo pasardhës dhe çdo person që kërkon të emërojë një pasardhës”.
Trumpi-Starmerit: Nuk kemi nevojë për aleatë që vijnë pasi ta fitojmë luftën
Presidenti i SHBA-së shkroi në platformën e tij sociale Truth Social se Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për dy aeroplanmbajtëset që Mbretëria e Bashkuar po mendon t’i dërgojë në Lindjen e Mesme.
“Mbretëria e Bashkuar, aleati ynë dikur i madh, ndoshta më i madhi prej të gjithëve, më në fund po mendon seriozisht të dërgojë dy aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme. Kjo është në rregull, kryeministër Starmer, ne nuk kemi më nevojë për to, por do ta mbajmë mend. Nuk kemi nevojë për njerëz që i bashkohen luftërave pasi ne tashmë kemi fituar!”, shkroi ai.
Kjo vjen pasi kryeministri Keir Starmer refuzoi t’i lejojë SHBA-së përdorimin e bazave britanike për sulmet fillestare ndaj Iranit. Trump më vonë tha se “ai nuk ka qenë i dobishëm”.
“Nuk e kisha menduar kurrë se do ta shihja këtë. Nuk e kisha menduar kurrë ta shihja këtë nga Mbretëria e Bashkuar”, i tha ai gazetës The Sun.
Qeveria britanike nuk është bashkuar me operacionet sulmuese dhe nuk ka dhënë asnjë zotim për ta bërë këtë. Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar i ka lejuar SHBA-së të përdorë bazat e saj për operacione mbrojtëse.
Sulme ajrore në Bejrut, disa të vdekur
Gjatë natës, Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se katër persona kanë vdekur dhe dhjetë të tjerë janë plagosur nga një sulm izraelit ndaj një hoteli në Bejrut.
Fotografitë nga hoteli tregojnë mure të nxira dhe të dëmtuara nga shpërthimi.
Tetë persona të tjerë u vranë gjithashtu në sulme ndaj më shumë se 20 qyteteve dhe fshatrave, raportoi agjencia e lajmeve AFP, duke cituar ministrinë e shëndetësisë.
Ushtria izraelite tha se kishte kryer një “sulm të saktë” në Bejrut ndaj anëtarëve të Forcës Quds, krahu i operacioneve jashtë vendit i Gardës Revolucionare Islamike. Ajo nuk bëri të ditur se kush ishte objektiv i sulmit apo se ku saktësisht goditi.
Më herët gjatë natës, ushtria kishte deklaruar se po godiste “infrastrukturën e Hezbollahut në zonën Dahiyeh në Bejrut”.