Irani është goditur nga bombardime të rënda edhe për një natë tjetër, pasi Izraeli njoftoi një valë të re sulmesh ndaj asaj që e quajti "infrastrukturë e regjimit".
Një nga aeroportet kryesore tregtare të Teheranit u shënjestrua rëndë, me dëshmitarë që raportuan për aeroplanë që digjeshin në pistë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoIrani ka vazhduar po ashtu sulmet.
Pati sirena sulmi ajror në Jerusalem dhe Tel Aviv gjatë natës, ndërsa izraelitët u përballën me raketa balistike dhe dronë që po vinin. Shumica duket se janë rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Izraelit.
Ka pasur spekulime nëse Izraeli së shpejti mund të mbetet pa bomba dhe raketa penguese.
Këtë mëngjes Departamenti i Shtetit i SHBA-së njoftoi se do të përshpejtojë shitjen e armëve me vlerë mbi 150 milionë dollarë për aleatin e tij, duke përfshirë më shumë se 12,000 bomba.
Irani zotohet për përgjigje të fuqishme ndaj SHBA-së, shpjegon kërkimfaljen e presidentit
Irani është zotuar për një përgjigje të fuqishme ndaj çdo agresioni nga bazat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon, pasi presidenti Masoud Pezeshkian u kërkoi falje vendeve arabe të Gjirit Persik dhe tha se Irani do të ndalonte së sulmuari fqinjët e tij nëse nuk sulmohej.
Orë më vonë, zyra e Pezeshkianit lëshoi një "shpjegim" të komenteve të presidentit, të cilat presidenti i SHBA-së Donald Trump pretendoi se ishin provë se Irani ishte "dorëzuar" ndaj fqinjëve të tij.
"Ne do t'i përgjigjemi me vendosmëri çdo agresioni nga bazat amerikane", thuhej në deklaratën e zyrës.
"Mesazhi nga presidenti Pezeshkian është i qartë: nëse vendet e rajonit nuk bashkëpunojnë në sulmin e Amerikës ndaj nesh, ne nuk do t'i sulmojmë ato", thuhej në deklaratë.
Hezbollahu paralajmëron banorët në veri të Izraelit të evakuohen
Grupi militant shiit libanez Hezbollah të shtunën paralajmëroi banorët në veri të Izraelit pranë kufirit me Libanin që të evakuohen dhe të drejtohen drejt jugut.
Hezbollah nuk specifikoi se do të ndërmerrte ndonjë veprim kundër qytetit Kiryat Shmona, i cili ndodhet vetëm pak kilometra larg kufirit.
"Kujdes. Të gjithë banorët e Kiryat Shmona kërkohen të evakuohen menjëherë. Drejtohuni drejt jugut", thuhet në deklaratën e Hezbollahut.
Libani u përfshi në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit të hënën, pasi Hezbollahu, një grup i përkrahur nga Irani, kreu sulme me raketa dhe dronë në Izrael. Izraeli ndërkaq u përgjigj me sulme të rënda në të gjithë jugun, lindjen dhe pranë Bejrutit në Liban, shkruan Reuters.
Në vitin 2023, dhjetëra mijëra izraelitë që jetonin në veri evakuuan shtëpitë e tyre pasi shpërtheu lufta në Gazë në mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, ndërsa Hezbollahu filloi të qëllonte raketa dhe predha të tjera drejt komuniteteve veriore.
Banorët u kthyen pas një armëpushimi në mes Izraelit dhe Hezbollahut në nëntorit 2024. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, këtë javë u ka kërkuar vazhdimisht izraelitëve në veri të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, duke thënë se ushtria do t'i mbrojë ata.
Izraeli paralajmëron Libanin: Çarmatose Hezbollahun ose do ta paguash çmimin
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, të shtunën e paralajmëroi presidentin libanez Joseph Aoun se Libani do të “paguajë çmimin” për dështimin në çarmatosjen e Hezbollahut.
Në një fjalim drejtuar presidentit, Katz tha në një deklaratë televizive se Libani kishte “bërë një premtim dhe angazhim për të ndjekur marrëveshjen dhe për të çarmatosur Hezbollahun”, raportoi CNN.
“Nëse duhet të zgjedhim midis mbrojtjes së civilëve dhe ushtarëve tanë ose shtetit të Libanit, ata që do të paguajnë çmimin do të jenë qeveria libaneze dhe i gjithë Libani”, tha Katz.
Pasi Aoun u zgjodh në janar 2025, ai u zotua të rivendoste monopolin e ushtrisë libaneze mbi armët në vend duke çarmatosur Hezbollahun. Por grupi militant ka vazhduar të veprojë dhe nisi një sulm ndaj Izraelit javën e kaluar pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit.
Izraeli është përgjigjur me një sulm të furishëm në të gjithë Libanin, duke synuar Hezbollahun jo vetëm në jug, por edhe në kryeqytet, Bejrut, dhe në Tripoli në veriun e largët. I pyetur së fundmi nëse Izraeli po përgatitej për një pushtim tokësor në shkallë të gjerë, një zëdhënës ushtarak izraelit tha: “Të gjitha opsionet mbeten në tryezë.”
Katz tha se Izraeli nuk ka “asnjë pretendim territorial” në Liban, “por ne nuk do të pranojmë zjarr nga territori libanez drejt Izraelit”.
“Prandaj, ne ju drejtohemi dhe ju paralajmërojmë - bëni diçka dhe veproni përpara se të bëjmë edhe më shumë”, tha Katz në mesazhin e tij drejtuar Aounit.
Momenti kur droni godet ngjitur me Aeroportin e Dubait
Një dron ka goditur Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait të shtunën, duke shkaktuar shpërthim të fuqishëm.
Sipas pamjeve të filmuara nga një dëshmitar dhe të verifikuara nga BBC, droni është rrëzuar brenda ose shumë pranë perimetrit të aeroportit.
Videoja tregon një shpërthim pranë një ndërtese të terminalit, ndërsa personi që filmon dëgjohet duke thënë “një dron tjetër”, pak çaste para se të dëgjohet një zhurmë fëshfëritëse që i ngjan tingullit të motorëve të dronëve.
Vendndodhja e saktë nuk është konfirmuar, por bazuar në pamje, besohet se shpërthimi ka ndodhur pranë hollit A të aeroportit.
VIDEO:
Watch the moment a drone struck Dubai International Airport’s runway, forcing the suspension of all flights on Saturday. pic.twitter.com/uU2msQeSX1
Pamjet janë filmuar nga një zonë industriale në jug të aeroportit dhe tregojnë se godtja duket të ketë ndodhur në veri të një linje treni dhe pranë një ndërtese të kompanisë Hertz. Në platformën pranë ndërtesës mund të shihen të paktën katër avionë të parkuar.
Qendra globale e transportit në Dubai njoftoi më herët gjatë mëngjesit se operacionet në aeroport ishin pezulluar përkohësisht. Më vonë, aeroporti bëri të ditur se fluturimet kanë rifilluar pjesërisht.
Ndërkohë, kompania ajrore Emirates fillimisht publikoi një njoftim për pezullimin e operacioneve, por ky postim u fshi më vonë dhe u zëvendësua me një tjetër ku thuhet se shërbimet kanë rifilluar.
Trump: Sot Irani do të goditet shumë rëndë
Presidenti amerikan Donald Trump tha se Irani "do të goditet shumë rëndë" sot, ndërsa iu përgjigj kërkimfaljes së presidentit iranian drejtuar vendeve fqinje.
Në një postim në Truth Social, ai tha se Irani "u dorëzua ndaj fqinjëve të tij në Lindjen e Mesme dhe premtoi se nuk do të qëllojë më ndaj tyre", dhe argumentoi se kjo u bë e mundur vetëm për shkak të sulmeve të pamëshirshme të SHBA-së dhe Izraelit ndaj tij.
Trump tha se Irani ka tentuar që të marrë përsipër dhe të sundojë Lindjen e Mesme dhe se kjo është hera e parë në mijëra vjet që Irani ka humbur. Ai shtoi se sot do të jenë në shënjestër shumë zona dhe njerëz që deri më sot nuk janë konsideruar cak.
“Irani nuk është më “Ngacmuesi i Lindjes së Mesme”, përkundrazi, ata janë “HUMBËSI I LINDJES SË MESME” dhe do të jenë të tillë për shumë dekada derisa të dorëzohen ose, më shumë gjasa, të shemben plotësisht! Sot, Irani do të goditet shumë rëndë!" tha Trump.
Më herët gjatë ditës, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, në një mesazh të transmetuar tha se këshilli i përkohshëm udhëheqës i Iranit kishte miratuar ndalimin e sulmeve ndaj vendeve fqinje, përveç nëse një sulm ndaj Iranit vinte nga ato vende.
Putini bën thirrje për ndërprerje të menjëhershme të konfliktit në Iran
Presidenti rus Vladimir Putin i shprehu ngushëllimet e tij presidentit të Iranit për viktimat e shumta civile që rezultuan nga siç e quajti ai, "agresioni i armatosur izraelito-amerikan kundër Iranit" dhe bëri thirrje për ndërprerje të menjëhershme të armiqësive, njoftoi Kremlini.
Në një telefonatë të premten vonë me presidentin Iranian, Masoud Pezeshkian, Putin shprehu ngushëllimet e tij për vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, anëtarëve të familjes së Khameneit, udhëheqësve politikë dhe ushtarakë iranianë, shkruan Reuters.
"Vladimir Putin riafirmoi qëndrimin parimor të Rusisë në favor të një ndërprerjeje të menjëhershme të armiqësive, refuzimit të forcës si metodë për të zgjidhur çdo çështje që lidhet me Iranin ose që lind në Lindjen e Mesme, dhe një kthim të shpejtë në rrugën e zgjidhjes diplomatike", thuhet në deklaratën e lëshuar nga Kremlini.
Putin tha se ishte në kontakt të vazhdueshëm me udhëheqësit e shteteve anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik.
"Masoud Pezeshkian shprehu mirënjohje për solidaritetin e Rusisë me popullin iranian ndërsa ata mbrojnë sovranitetin dhe pavarësinë e vendit të tyre. Ai gjithashtu dha një përditësim të detajuar mbi zhvillimet gjatë fazës së fundit aktive të konfliktit", tha Kremlini.
Shtetet e Gjirit Persik nën sulme edhe pas kërkimfaljes së presidentit iranian
Arabia Saudite, Katari, Bahrejni dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë përballur me sulme të reja me dronë dhe raketa të shtunën.
Aeroporti në Dubai – në kushte normale një nga më të ngarkuarit në botë - u sulmua disa herë me dronë, me pasagjerë që raportuan të paktën një shpërthim dhe një numër pengimesh të raketave.
Nisjet u pezulluan për disa orë, por do të rifillojnë më vonë të shtunën.
Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi se një sulm me raketa balistike ishte zmbrapsur.
Ushtria e Iranit ka thënë se kishte lëshuar raketa dhe dronë kundër objekteve ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Katar.
Sirenat u dëgjuan në Bahrejn, por nuk pati raportime për shpërthime.
Ushtria e Bahrejnit ka thënë të shtunën se që nga fillimi i sulmeve iraniane kundër saj, 86 raketa dhe 148 dronë ishin penguar dhe shkatërruar.
Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite njoftoi se 16 dronë që shkonin drejt një prej fushave më të mëdha të naftës në Lindjen e Mesme, Shaybah, ishin penguar në orët e para të së shtunës.
Ministria e Mbrojtjes nuk specifikoi origjinën e sulmit me dronë.
Irani shënjestron Bahrejnin e Katarin me sulme të reja
Sirenat alarmuese janë lëshuar në Bahrejn të shtunën dhe një paralajmërim sigurie u është dërguar në telefona qytetarëve në Doha, Katar.
"Niveli i kërcënimit të sigurisë është rritur", thuhet në paralajmërim. “Të gjithë duhet të qëndrojnë brenda, të shmangin daljet jashtë dhe të qëndrojnë larg dritareve dhe zonave të ekspozuara, në mënyrë që të mbrojmë sigurinë publike”.
Ministria e Mbrojtjes e Katarit në një njoftim ka thënë se një sulm me raketa balistike nga Irani është penguar.
“Kërcënimi i sigurisë është eliminuar dhe situata është kthyer në normalitet”.
Pothuajse në të njëjtën kohë me këtë njoftim, media shtetërore e Iranit ka raportuar se një sulm me raketa dhe dronë është lëshuar drejt Katarit dhe Bahrejnit.
Presidenti iranian u kërkon falje për sulmet shteteve të Gjirit Persik
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka thënë se kërkesa e presidentit amerikan, Donald Trump, për dorëzim pa kushte është një “ëndërr që ata duhet ta marrin me vete në varr”.
Ai kërkoi gjithashtu falje për sulmet e Iranit ndaj shteteve të rajonit, duke këmbëngulur se Teherani do t'i ndalonte ato dhe duke sugjeruar se keqkomunikimi në radhët e tij e shkaktoi këtë, raportoi AP.
Megjithatë, deklarata e tij u transmetua pas sulmeve të përsëritura të shtunën në mëngjes ndaj Bahrejnit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Pezeshkian ka shtuar se këshilli udhëheqës i vendit kishte qenë në kontakt me forcat e armatosura lidhur me sulmet.
“Duhet t’u kërkoj falje vendeve fqinje që u sulmuan nga Irani, në emrin tim”, theksoi presidenti. “Që tani e tutje, ato nuk duhet të sulmojnë vendet fqinje ose të qëllojnë me raketa drejt tyre, përveç nëse sulmohemi nga ato vende. Mendoj se duhet ta zgjidhim këtë përmes diplomacisë”.