Mijëra persona të veshur me të zeza u mblodhën në rrugët e kryeqytetit iranian, Teheran, për të marrë pjesë në funeralin e komandantëve të lartë ushtarakë, shkencëtarëve bërthamorë si dhe civilëve të vrarë gjatë luftës 12-ditore me Izraelin, ka raportuar Reuters.
Sipas mediave shtetërore iraniane, në funeral u nderuan të paktën 16 shkencëtarë dhe 10 komandantë të lartë, përfshirë kreun e forcave të armatosura, gjeneral Mohammad Bagheri, komandantin e Gardës Revolucionare, Gjeneral Hossein Salami, dhe kreun e Forcës Ajrore të Gardës, Gjeneral Amir Ali Hajizadeh.
Arkivolët u drejtuan drejt Sheshit Azadi në Teheran, të zbukuruar me fotografitë e tyre, petale trëndafilash dhe lule, teksa turma valëviste flamujt shtetërorë.
Bagheri, Salami dhe Hajizadeh u vranë më 13 qershor, që në ditën e parë të luftës.
Izraeli, i vetmi shtet në Lindjen e Mesme që besohet gjerësisht se zotëron armë bërthamore, ka pretenduar se lufta e tij kundër rivalit rajonal kishte për qëllim të parandalonte dhe ta pamundësonte Teheranin zyrtar nga prodhimi i kokave bërthamore.
Autoritetet iraniane kanë mohuar pretendimet se programi i tyre bërthamor ka për qëllim të zhvillojë armë të shkatërrimit në masë. E agjencia bërthamore e OKB-së, e cila kryen inspektime në Iran, ka thënë se nuk ka “asnjë tregues të besueshëm” për një program aktiv e të koordinuar sa i përket armëve të këtij lloji në Iran.
Një zyrtar i lartë ushtarak izraelit ka thënë të premten se Izraeli kishte vrarë më shumë se 30 zyrtarë të lartë të sigurisë dhe 11 shkencëtarë bërthamorë gjatë luftës.
Sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë iraniane, 610 persona humbën jetën gjatë luftës 12-ditore, prej të cilëve 13 fëmijë dhe 49 gra, para hyrjes në fuqi të armëpushimit të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, në fillim të javës. Krahas të vdekurve, vlerësohet se rreth 4,700 persona të tjerë u plagosën.