Botë

Irani do t'ia paraqesë SHBA-së një kundërpropozim për bisedimet bërthamore

Iran Khamenei

Foto: Associated Press

Irani së shpejti do t'i paraqesë Shteteve të Bashkuara një kundërpropozim për një marrëveshje bërthamore nëpërmjet Omanit, ka thënë të hënën zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, në përgjigje të një oferte të SHBA-së që Teherani e konsideron "të papranueshme".

Zëdhënësi gjithashtu i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të detyrojë çarmatimin bërthamor për Izraelin.

"Propozimi i SHBA-së nuk është i pranueshëm për ne. Nuk ishte rezultat i rundeve të mëparshme të negociatave. Ne do t'ia paraqesim propozimin tonë palës tjetër nëpërmjet Omanit pasi të finalizohet. Ky propozim është i arsyeshëm, logjik dhe i balancuar", ka thënë Baghaei.

"Ne duhet të sigurohemi para heqjes së sanksioneve që Irani të përfitojë në mënyrë efektive ekonomikisht dhe që marrëdhëniet e tij bankare dhe tregtare me vendet e tjera të kthehen në normalitet”, ka shtuar ai.

Reuters ka raportuar më parë se Teherani po hartonte një përgjigje negative ndaj propozimit të SHBA-së, i cili u paraqit në fund të majit. Një diplomat iranian ka thënë se oferta e SHBA-së dështoi të zgjidhte mosmarrëveshjet mbi pasurimin e uraniumit në tokën iraniane, dërgimin jashtë vendit të të gjithë rezervave të uraniumit të pasuruar shumë të Iranit, dhe hapat e besueshëm për të hequr sanksionet e SHBA-së.

Baghaei ka thënë se ende nuk ka detaje mbi kohën e rundit të gjashtë të bisedimeve bërthamore midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Javën e kaluar, Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei e ka hedhur poshtë propozimin e SHBA-së si kundër interesave të Iranit, duke u zotuar të vazhdojë pasurimin në tokën iraniane, të cilin fuqitë perëndimore e shohin si një rrugë të mundshme për ndërtimin e armëve bërthamore. 

Irani thotë se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore.