Afgani i akuzuar për plagosjen e dy ushtarëve amerikanë në qendër të Washingtonit, dikur kishte punuar përkrah CIA-s në Afganistan, kanë njoftuar autoritetet amerikane, transmeton “BBC”.
Rahmanullah Lakanwal kishte udhëtuar me mijëra kilometra nga bregu perëndimor i SHBA-së për ta nisur një sulm “në stilin e pritës” ndaj dy anëtarëve të Gardës Kombëtare të Virxhinias Perëndimore të mërkurën pasdite, thanë autoritetet.
Ai qëlloi 20-vjeçaren Sarah Bekcstrom dhe 24-vjeçarin Andrew Wolfe, nga afërsia. Sulmi ndodhi vetëm disa blloqe larg nga Shtëpia e Bardhë, thanë zyrtarët. Të dy janë në gjendje kritike në spital.
Lakanwal kishte mbërritur në SHBA në vitin 2021, sipas një programi që ofronte mbrojtje të posaçme imigracioni për afganët pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani.
Ai ndihmoi në ruajtjen e forcave amerikane në Aeroportin e Kabulit, ndërsa mijëra njerëz nxituan të largoheshin nga Afganistani përpara se talebanët ta merrnin pushtetin, tha për “BBC” një ish-komandant ushtarak, i cili kishte shërbyer përkrah Lakanwalit.

Babai i pesë fëmijëve ishte rekrutuar në Njësitin 03 të Forcës së Sulmit të Kandaharit, nëntë vjet më parë.
Njësiti i tij njihej në nivelin lokal si Forcat e Akrepave, duke vepruar fillimisht nën CIA-n, por më pas për departamentin e inteligjencës afgane të njohur si Drejtoria Kombëtare e Sigurisë.
Lakanwal ishte specialist gjurmimi, tha ish-komandanti për BBC-në, duke e përshkruar atë si një person “sportiv dhe të harreshëm”.
I gjithë njësiti i tij u zhvendos nga Kandahari në Kabul pesë ditë para se talebanët të hynin në Kabul. Ata vazhduan ta mbronin aeroportin për gjashtë ditë tjera, përpara se të transportoheshin për në SHBA.
Në një konferencë për media, drejtori i FBI-së, Kash Patel, konfirmoi lidhjen e Lakanwalit me forcat amerikane, duke thënë se i dyshuari “kishte një marrëdhënie në Afganistan me forcat partnere”, përpara se të transferohej në SHBA.